Grupi Parlamentar i PD-së, ka kërkuar ndryshimin e rendit të ditës në Kuvend, për të zhvilluar një mocion besimi lidhur me arrestimin e ish-zyrtarit të FBI-së. Alibeaj kërkoi që në seancë të jetë prezent edhe kryeministri Rama. Ai u shpreh se Rama duhet të jetë prezent pasi është ‘strumbullari’ i çështjes. Lindita Nikolla i fiku mikrofonin pasi fjala e tij nuk ishte për procedurë.
Edhe kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka kërkuar që Rama të shkojë në Kuvend për të folur në lidhje me çështjen McGonigal ose të japë dorëheqjen.
“Janë të implikuar në një aferë korruptive në korruptimin e njërit prej njerëzve në njohuritë më të jashtëzakonshme, më sensitive në SHBA për sigurinë e këtij vendi dhe sigurinë e vendeve të lira. Prej muajsh, një juri ka urdhëruar hetimin e çdo mesazhi, çdo takimi, udhëtimi, dhurate e emaili të Dorian Duckës, Agron Nezës dhe Edi Ramës.
Kuptohet se për një kontroll të tillë s’bëhet pa vënë nën hetim personat që citohen. Skandali shpërtheu pas arrestimit në aeroportin John Kennedy të McGonigal nga FBI pasi akuzohet se në raport me kryeministrin e Shqipërisë, ka fshehur, ka manipuluar e falsifikuar dokumente, ka marrë poprosi me para nga zyra e kryeministrit për të lobuar për paratë ruse.” – u shpreh Berisha.
Kryeparlamentarja Nikolla më pas i ka ndërprerë fjalën.