Në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm u hodh ditën e sotme shorti për çështjen penale me të pandehur deputetin Ervin Salianji dhe gazetarin Jetmir Olldashi, të cilët akuzohen për “kallëzim të rremë”.
Shorti elektronik vendosi që çështja do të merret për gjykim nga gjyqtarja relatore Elona Toro.
Njoftimi i Gjykatës së Apelit të juridiksionit të Përgjithshëm:
Në vijim të komunikimit, mbi çështjen penale me të pandehur Jetmir Olldashi dhe Ervin Salianji, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Kallëzim i rremë” i kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 305 dhe 25 të Kodit Penal, viktim/kallëzues i veprës penale, shtetasi Geron (Agron) Xhafaj, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, ju informon si më poshtë:
Sot më datë 16.03.2023, çështja penale e lartpërmendur u shortua midis dy anëtarëve të trupit gjykues të përbërë prej gjyqtarëve Genti Shala dhe Elona Toro.
Në bazë të shortit elektronik, çështja i ra për gjykim gjyqtares relatore Elona Toro.
Në vazhdimësi, do njoftoheni për ecurinë e kësaj çështje.