Çështjet e pagjykuara/ Zv.Kryetari i Gjykatës së Lartë: Mbi 35 mijë dosje të prapambetura presin të zgjidhen

Sfidë për Gjykatën e Lartë ngelet ulja e çështjeve të prapambetura. Kështu deklaroi zëvendëskryetari i kësaj gjykate, Sokol Sadushi.

Gjatë një konference për mediat ai tha se këto çështje të prapambetura e kanë fillesat që nga viti 2012. Sipas tij, ulja e numrit të këtyre çështjeve kërkon kohë dhe angazhim.

“Pas një viti tepër intensiv dhe të ngarkuar me zhvillime në organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë, kam kënaqësinë, por edhe detyrimin, te informoj opinionin publik mbi veprimtarinë e këtij institucioni që qëndron në majë të piramidës gjyqësore.

Tashmë, kjo Gjykatë po e kryen funksionin e vet kushtetues, duke u përpjekur maksimalisht të përçojë tek publiku besimin dhe shpresën se situata është duke ndryshuar. Jemi të ndërgjegjshëm se opinioni publik pret nga Ne, më shumë efektivitet, një ritëm më të lartë në gjykim dhe rrjedhimisht më shumë rezultat. Gjykata e Lartë nuk resht së kërkuari për mënyra, mjete dhe rrugë të reja që sigurojnë shpejtësi, korrektësi, cilësi dhe transparencë në vendimmarrje.

Situata në Gjykatën e Lartë është në një zhvillim dinamik dhe e tillë parashikohet edhe gjatë vitit 2022. Ne dimë se çfarë dhe si duhet bërë, për të dalë nga kolapsi, në të cilën e gjetëm këtë institucion. Për këtë kërkohet durim dhe mirëkuptim.

Po mbyllim një vit me zhvillime pozitive, sa i takon ritmit të lartë të punës, metodologjisë së qartë të ndjekur nga trupa gjyqësore, dhënies së shpresës për fillimin e uljes së numrit të çështjeve te prapambetura, por edhe shtimit të arsyeshëm të organikës së Gjykatës së Lartë.

Gjatë këtij viti u emëruan 6 gjyqtarë të tjerë, ndërkohë që jemi në pritje të 5 të tjerëve. Është gati e pabesueshme, por vetëm me 9 gjyqtarë kemi arritur, nëpërmjet një përllogaritje të kujdesshme, të formojmë 9 trupa gjyqësorë, me nga tre gjyqtarë, të cilat gjykojnë rregullisht, sipas kolegjeve dhe fushave përkatëse, në çdo ditë të javës.

Kjo ngarkesë ka kërkuar angazhimin maksimal të gjyqtarëve, që pavarësisht faktit se janë zgjedhur në përbërje të kolegjeve përkatëse, kryejnë detyrën edhe si pjesë e trupave të ndryshme gjyqësore. Gjyqtarët e kësaj gjykate janë të ndërgjegjshëm për përgjegjësinë që u ka takuar të mbajnë në këtë situatë të pazakontë për Gjykatën e Lartë në veçanti dhe sistemin e drejtësisë në përgjithësi.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *