Çfarë dihet për propozimin franko-gjerman për Kosovën dhe Serbinë?

“Nuk ka asgjë konkrete”, “Është e pavlerë të hedhësh nga dritarja propozimin franko-gjerman”, “Çdo gjë që vjen nga vendet evropiane duhet marrë seriozisht”.

Këto janë vetëm disa nga deklaratat e zyrtarëve kosovarë, serbë dhe ndërkombëtarë lidhur me të ashtuquajturin propozim franko-gjerman, i cili duhet t’i hapë rrugë normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Rreth një muaj më parë në opinion u shfaq informacioni se Franca dhe Gjermania u kanë dhënë liderëve në Prishtinë dhe Beograd një propozim se si të zgjidhet mosmarrëveshja e kahershme mes dy vendeve.

Që nga viti 2012, Kosova dhe Serbia kanë zhvilluar një dialog politik për normalizimin e marrëdhënieve me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE). Qëllimi është të arrihet një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve, gjë që ende nuk ka ndodhur. Dialogu është ndërprerë në disa raste.

Kurti dhe Vuçiq për propozimin

Propozimi franko-gjerman nuk është bërë publik dhe nuk dihet se çfarë përmban saktësisht. Ambasadat e Francës dhe Gjermanisë në Kosovë nuk e kanë konfirmuar ekzistimin e një dokumenti të tillë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përmes deklaratave të tyre kanë konfirmuar se janë njohur me një propozim të tillë.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha më 8 tetor se Franca dhe Gjermania propozuan që Serbia të lejojë Kosovën t’i bashkohet institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara (OKB) në këmbim të anëtarësimit të shpejtë të Serbisë në BE.

Ai shtoi se Serbia nuk do të “poshtrohet më tej dhe nuk do të detyrohet të njohë zyrtarisht Kosovën”, por duke mos reaguar do të jepte një sinjal të heshtur se është dakord. Siç tha ai, kjo është e papranueshme për Serbinë, por shtoi gjithashtu se është e papërgjegjshme dhe joserioze që propozimi franko-gjerman të hidhet nga dritarja.

Më 18 tetor, Vuçiq përsëriti se thelbi i propozimit të Gjermanisë dhe Francës është që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare. Për këtë, siç tha ai, Serbia do të merrte “hyrje të shpejtë në BE dhe ndoshta përfitime të konsiderueshme ekonomike”.

Mediat në Kosovë po ashtu kanë raportuar se propozimi për momentin nuk parasheh që Serbia ta njohë Kosovën, por parasheh njohjen e shtetit të Kosovës nga pesë anëtarët e mbetur të BE-së që nuk e kanë bërë këtë: Spanja, Rumania, Qiproja, Greqia dhe Sllovakia.

Vuçiq dhe Kurti u takuan për herë të fundit më 18 gusht në Bruksel në kuadër të një dialogu në nivelin më të lartë politik. Ishte takimi i parë mes Kurtit dhe Vuçiqit në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve pas më shumë se një viti dhe ata ishin të ftuar në Bruksel pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës më 31 korrik.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *