Arrestimi i një personi të nacionalitetit shqiptar në Bujanoc, në jug të Serbisë, në këtë moment nuk mund të lidhet drejtpërdrejt me krizën aktuale në Kosovë, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Serbisë.
“Por ka shqetësim sepse ai person është arrestuar me një sasi të konsiderueshme armësh dhe municioni”, tha sekretari shtetëror i Ministrisë së Mbrojtjes Nemanja Staroviq në përgjigje të pyetjes së RSE-së.
Paraprakisht Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit (BIA) njoftoi se “u gjetën një sasi të madhe armësh, dhjetë pushkë, një snajper me silenciator, një akrep me silenciator, një kilogram lëndë plasëse, si dhe një sasi e madhe municioni”. me personin e arrestuar, ndryshe i dyshuar për terrorizëm.
“Dyshohet se armët janë marrë në rrugë të paligjshme dhe se qëllimi i të dyshuarit ka qenë transportimi i armëve në zonën e Kosovës dhe Metohisë”, thuhet.
BIA në njoftimin e datës 27 dhjetor deklaroi se është arrestuar një person me kombësi shqiptare, duke përmendur vetëm inicialet – AB.
Në të njëjtën kohë, nuk specifikohet nëse bëhet fjalë për shtetas të Serbisë apo të ndonjë shteti tjetër.
BIA është shërbim civil i sigurisë dhe është pjesë e sistemit të sigurisë dhe inteligjencës të Serbisë.