Samiti dyditor i 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian nuk nisi aspak i qetë, teksa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i humbën shpresat për të marrë një dritë jeshile në rrugën e tyre të integrimit pas vetos nga Bullgaria.
Mes diskutimeve të vështira dhe deklaratave të ashpra nga kryeministrat Edi Rama dhe Dimitar Kovaçeski u mbyll dita e parë.
Ndërkohë, që bëri xhiron e rrjetit edhe një video ku kreu i qeverisë shqiptare dukej se debatonte me Presidentin e Francës, Emanuel Makron pak para shkrepjes së fotos zyrtare.
Veta kreu i pallatit “Elysse”, pasi është pyetur se pse presidenca franceze (janar-qershor 2022) është treguar e paaftë për t’i dhënë një zgjidhje negociatave të anëtarësimit.
“Çfarë i thoni ju sonte popullit shqiptar që ka 30 vjet që pret në dyert e Europës, një derë që nuk është hapur ende krejtësisht?”, u pyet Macron, i cili u përgjigj duke thënë se ajo çka po ndodh nuk është e drejtë.
“Së pari, është e vërtetë që Maqedonia e Veriut ka bërë një punë historike me një kurajo të liderëve historikë, si Zoran Zaev që kanë marrë përsipër të gjitha rreziqet e nevojshme për të ndryshuar emrin e vendit dhe për të ndryshuar Kushtetutën e vendit. Më tej një shtet anëtar ka ndërhyrë me vonesë dhe ka kërkuar që të ketë ndryshime. Ne nuk mund të bëjmë sikur problemi nuk ekziston. A është e drejtë ndaj Maqedonisë së Veriut? Do jua them me shumë sinqeritet: Jo. Është për këtë arsye që ne kemi ushtruar shumë presion mbi Bullgarinë këto muajt e fundit. Është gjithashtu dhe fryti (arsyeja) e një krize aktuale politike në Bullgari dhe nuk mund të bëjmë sikur kjo gjë nuk ka ndodhur. Dua të përshëndes kurajon dhe angazhimin politik të kryeministrit Petkov (kryeministrit bullgar) në këtë kontekst. Ai ka bërë gjithçka. Ne jemi shumë afër një marrëveshjeje. Ne kemi bërë një propozim, siç e dini në bashkëpunim të ngushtë me të dyja palët, që mundëson marrjen në konsideratë të kërkesave bullgare dhe që është në përputhje me atë që Maqedonia e Veriut mund të pranojë.
E gjitha kjo supozon krijimin e vizibilitetit dhe besimit midis palëve. Do të ketë një votim mbi propozimin francez brenda disa orësh në parlamentin bullgar dhe shpresoj që të gjitha partitë politike do të shprehin mbështetje. Presidenti i Republikës duhet të angazhohet dhe ne kemi shpresa për këtë, partitë e koalicionit, partitë që dolën nga koalicioni dhe opozita të votojnë propozimin francez. Kanë detyrën e tyre europiane për të votuar mbi bazën e asaj që kemi arritur. Dhe më pas, në orët që vijojnë do takohemi me përfaqësuesit e Maqedonisë së Veriut për të finalizuar këtë marrëveshje. Nëse e gjitha kjo avancon në këtë mënyrë, atëherë ne mund të ecim përpara duke filluar që nga java e ardhshme, duke filluar nga organi i ambasadorëve të përhershëm të BE-së e më pas duke vijuar me procedurën dhe të mund të avancojmë kështu me këtë projekt me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Por keni të drejtë, ata kanë pritur shumë duke marrë parasysh të gjitha përpjekjet që kanë bërë”, tha Makron./abc