Nga William MacAskill
Romakët skllavëruan njerëzit, vunë në zbatim një patriarki të ngurtë, dhe kënaqeshin me spektaklin e të burgosurve që torturoheshin në Koloseum. Mendjet më të larta të botës së lashtë perëndimore – njerëz të famshëm si Aristoteli, veprat e të cilit mësohen ende sot nëpër universitete – e mbrojtën skllavërinë si një praktikë krejtësisht të natyrshme dhe të duhur.
Në fakt, që nga fillimi i epokës bujqësore dhe deri në shekullin XIX-të, skllavëria ishte e kudondodhur në mbarë botën. Është e vështirë të kuptohet se si paraardhësit tanë mund të kenë gabuar kaq shumë. Që atëherë, ne kemi arritur një përparim real. Edhe pse jemi ende shumë larg përsosmërisë, shoqëria e sotme është në shumë aspekte shumë më humane dhe më e drejtë se dikur.
Por pse dikush duhet të mendojë, se ky rrugëtim i përparimit moral është afër fundit? Duke pasur parasysh historikun e njerëzimit, edhe sot ne po bëjmë pothuajse me siguri gabime të rënda morale, ashtu si paraardhësit tanë. Kur brezat e ardhshëm të kthejnë kokën pas në epokën tonë, ata mund të na shohin me një sy kritik, siç bëjmë ne sot me romakët.
Mendimi për gabimet tona të mundshme morale, është një ushtrim sfidues:Ai kërkon që ne të perceptojmë dhe të shqyrtojmë gjithçka bën njerëzimi. Disa nga mëkatet tona janë të dukshme. Për shembull, mënyra se si i trajtojmë të burgosurit. Ndryshe nga romakët, ne nuk vëmë më në skenë si një spektakël publik vuajtjet e të burgosurve.
Prapëseprapë, ne i nënshtrojmë ata ndaj kushteve – si izolimi i zgjatur – që brezat e ardhshëm të shkolluar ka të ngjarë t’i konsiderojnë të tmerrshme. Dëmi i madh që u shkaktojmë të burgosurve (dhe familjeve të tyre të pafajshme) është shpesh më i madh se dëmi i shkaktuar nga rrahja me shkopinj, një praktikë që me të drejtë e kemi braktisur.
Apo mendoni pak se si i trajtojmë kafshët. Çdo vit, njerëzimi ther 80 miliardë kafshë për të kënaqur preferencat e tij në kuzhinë. Shumica e tyre janë pula, dhe jeta e tyre është e mjerueshme. Zogjtë meshkuj theren, përfundojnë duke u bërë salçiçe. Zogjve femra u priten majat e sqepave dhe shumica mbyllen në kafaze të ngushtë për të bërë vezë.
Mesatarisht, një vakt i rregullt që përmban pulë apo vezë kushton të paktën 10 orë torturuese të jetës së një pule. Dhe më shumë pula do të vriten brenda 2 viteve të ardhshme sesa numri i të gjithë njerëzve që kanë jetuar ndonjëherë. Ngjashëm, derrat tredhen dhe u pritet bishti. Lopëve u hiqen brirët dhe damkosen me një hekur të nxehtë pa anestezi.
Nëse kafshët kanë një lloj rëndësie, trajtimi ynë ndaj tyre është një krim me përmasa epike.
Dhe këto dështime etike ndajnë një model të përbashkët. Grupime e privuara nga të drejta dhe të margjinalizuara – si të varfrit, të burgosur, emigrantët, madje edhe kafshët nëpër ferma, janë jashtë vëmendjes së të tjerëve.
Brezat e ardhshëm do të analizojnë se si ne i fshehëm këto grupe nga syri i shoqërisë, duke i lejuar vetes të injorojmë interesat e tyre bazike. Sigurisht, kjo nuk është diçka e re. Por ka një dimension tjetër, për të cilin flitet shumë më pak. Kur njerëzit e ardhshëm të kthejnë kokën pas, ata do të vërejnë shpërfilljen tonë për një grup tjetër të privuar nga e drejta:vetë ata. Brezat e ardhshëm nuk mund të votojnë në lidhje me zgjedhjet tona, apo të flasin me kalimin e kohës, dhe të na nxisin të veprojmë ndryshe. Ata janë pa zë. Është e lehtë të imagjinohet se në vitin 2300, pasardhësit tanë do të shohin pas, dhe do ta dënojnë dështimin tonë për të marrë parasysh interesat e tyre.
Dhe rreziqet e këtij dështimi të mundshëm janë shumë të mëdha. Për shkak të numrit të madh të njerëzve të ardhshëm, dhe për shkak se mirëqenia e tyre është tërësisht e neglizhuar, unë besoj se mbrojtja e brezave të ardhshëm duhet të jetë një përparësi morale kryesore e kohës sonë.
Kur marrim parasysh se cilat grupe po neglizhojmë, është shumë e lehtë të harrojmë shumicën e njerëzve që ka të ngjarë të jetojnë ndonjëherë. Ja një shembull tipik i shpërfilljes sonë ndaj brezave të ardhshëm. Pavarësisht ziles së fortë të zgjimit që na dha Covid-19, shumica e qeverive mbeten thuajse tërësisht të papërgatitura për pandemitë e ardhshme.
Për shembull, SHBA-ja shpenzon ende vetëm 10 miliardë dollarë në vit për përgatitjen për pandemitë, krahasuar me rreth 280 miliardë dollarë për antiterrorizmin. Që nga 11 Shtatori 2001, rreth 500 njerëz kanë vdekur në SHBA si rezultat i një akti terrorist. Ndërkohë më 1 mijë herë më shumë kanë vdekur nga Covid-19.
Nëse nuk i shtojmë ndjeshëm përpjekjet tona për të parandaluar pandeminë e ardhshme, ka shumë të ngjarë që një patogjen shumë më vdekjeprurëse sesa koronavirusi, të shkaktojë një shfarosje në masë. Rreziku i një aksidenti nga eksperimentet mbi pandemitë më vdekjeprurëse vetëm sa do të rritet.
Por nëse pasardhësit tanë jetojnë në një distopi post-apokaliptike, si do ta shohin ata dështimin tonë për të parandaluar katastrofën? Dhe çfarë do të mendojnë pasardhësit tanë për zgjedhjen tonë për të lëshuar në atmosferë dioksid karboni? Dioksidi i karbonit do të ndotë ajrin që ata thithin për mijëra vjet.
Niveli i detit do të vazhdojë të rritet edhe për 10.000 vitet në vazhdim. Dhe kur bëhet fjalë
për ndryshimet klimatike dhe gatishmërinë ndaj pandemive, ka hapa konkretë që mund të ndërmarrim që sot. Ne mund të investojmë tek teknologjia më premtuese e energjisë së pastër, si bateritë, panelet diellore dhe fuqia e zgjeruar gjeotermale, për të zbutur ndryshimet klimatike.
Për të shmangur pandeminë e ardhshme, ne mund të zhvillojmë pajisje mbrojtëse personale të gjeneratës së ardhshme, dhe sisteme të paralajmërimit të hershëm që zbulojnë patogjenë të rinj tek ujërat e zeza. Nëse nuk veprojmë tani për të mbrojtur të ardhmen, pasardhësit tanë do të na gjykojnë ashpër për dritëshkurtësinë tonë.
Por ndryshimet klimatike dhe pandemitë, nuk janë të vetmet katastrofa që meritojnë shumë më tepër vëmendje. Si mund të korrigjojmë një krizë të rëndë në marrëdhëniet ndërkombëtare, dhe të zbusim rrezikun e zhytjes në Luftën e Tretë Botërore?
Inteligjenca artificiale po përparon me shpejtësi. Si mund ta parandalojmë që ajo përdoret si një armë nga aktorë të këqij, dhe si mund të sigurojmë që ajo të jetë në përputhje me vlerat e njerëzimit? Dhe si mund të parandalojmë që ideologjitë autoritare dhe jo-liberale të mos fitojnë terren, dhe të sigurojmë që përparimi moral të vazhdojë gjatë në të ardhmen?
Këto janë probleme të vështira. Por gjatë dekadës së fundit, ne kemi arritur një përparim të vërtetë. Grupime të shumta kërkimore janë duke punuar, për të siguruar që nga AI të përfitojë njerëzimi, dhe jo që ai të shkatërrohet prej saj. Ndërkohë organizata tilla si Alvea , Observatori i Acideve Nukleike dhe Projekti SecureDNA po zhvillojnë zgjidhje konkrete për të mbrojtur njerëzit, tani dhe në të ardhmen, nga katastrofat biologjike.
Por ka shumë më tepër që duhen bërë. Ne duhet të vazhdojmë të zgjerojmë rrethin e shqetësimit tonë moral, në mënyrë që të përfshijmë të varfrit, të burgosurit, emigrantët, kafshët dhe të gjithë të tjerët, që mund të lulëzojnë ose vuajnë, sot dhe në të ardhmen e largët. Çfarë do të mendojnë brezat e ardhshëm për ne? Ndoshta do të na shohin si egoistë dhe miopë. Ose ndoshta do të na shohin me mirënjohje, për hapat që kemi marrë për t’u lënë atyre një botë më të mirë. Zgjedhja është e jona.
Shënim: William MacAskill, profesor i asociuar i filozofisë në Universitetin e Oksfordit, dhe autor i librit “Çfarë i detyrohemi të ardhmes”. / “The Atlantic”