Nikolo Makiaveli, politikan, diplomat, filozof, historian dhe poet fiorentin i shek.15-16-të është pa dyshim një ndër themeluesit, ndoshta më i spikaturi, krahas Tuqididit dhe Hobsit, i Realizmit politik ose siç njihet ndryshe – Realpolitika.
Pesë shekuj më parë, e paralajmëroj botën se:
- Bota duhet marrë ashtu si është, dhe jo ashtu si duhet të jetë.
- Ambicja për pushtet dhe interesi vetiak luajnë një rol parësor në çështjet politike.
- Qeverisja e popujve është një art më vetë që kërkon prej udhëheqësve politikë t’u përshtaten ndjeshmërive tradicionale, por edhe kohërave që ndryshojnë vazhdimisht.
- Kërkesat e “Raison d’état” (arsyes shtetërore) mund të bien ndesh me ato të moralitetit tradicional, sepse sfera publike dhe ajo private kanë moralet e tyre të dallueshëm nga njëri-tjetri.
- Armiku i armikut tim mund të jetë miku im.
Mësime që mbeten aktuale dhe tronditëse edhe në ditët tona.
Vepra “Princi” zë një vend të rëndësishëm të mendimit politik dhe të suksesit të një individi në shoqëri.
Teza politike e Makiavelit u bë famëkeqe sepse u përqendrua pothuajse tërësisht në ndihmën e sundimtarëve për të marrë atë që duan me çdo kusht – me fjalë të tjera, qëllimi gjithmonë justifikonte mjetet.