Këtë muaj, Google publikoi listën e tij vjetore, që tregon se cilat tema u kërkuan më shumë gjatë vitit 2022.
CNN shkruan se kërkimet lidhur me Covid-19 mungojnë dukshëm këtë vit. Kërkimet e 2022-it janë përqendruar në rimëkëmbjen fizike dhe mendore, që lidhen me mënyrat se si të bëhemi më të fortë fizikisht dhe si të përballemi me çështje si ankthi, depresioni, çrregullimi i hiperaktivitetit dhe çrregullimi obsesiv-kompulsiv.
Ushtrimet fizike ishin një tjetër temë e kërkuar masivisht në vitin që po lemë pas. Në të përfshiheshin stërvitjet për peshën trupore dhe ushtrimet për shëndetin mendor. Përdoruesit e Google ‘pyetën’ gjithashtu se si të trajtojnë stresin, si të shmangin sulmet e panikut e si të kurojnë depresionin.
Shëndeti mendor në fakt ka qenë një temë mjaft e diskutuar edhe në përditshmërinë tonë, si dhe në media. Kjo vjen si pasojë e vështirësive që u hasën gjatë përshtatjes me pandeminë globale dhe kaosit që u krijua më pas me rikthimin në punë dhe shkollë.