Pas shtatë vitesh mandati i presidentit italian Sergio Mattarella, shumë i dashur nga italianët, ka përfunduar. Prej 3 ditësh, politika italiane është e përqendruar vetëm në sallën e Parlamentit, ku po votohet zgjedhja e pasuesit.
Një ngjarje e rëndësishme që ndodh vetëm një herë në shtatë vjet, dhe që ende nuk ka dhënë profilin e një kandidati favorit, për shkak të ekuilibrave tejet delikate të ekzekutivit italian, që përbehet nga një koalicion që shkon nga e majta tek rrymat populist dhe e djathta e Legës.
Lojë shahu
Por votimet e para shihen si një lojë shahu ku maten forcat, ku fletët e bardha janë shumica dërrmuese në pritje të marrëveshjeve mes liderëve. Por ndër 1009 personat që kanë të drejtë vote, disa prej tyre kanë edhe humor.
Dalin kështu kandidatura paradoksale, si ato të ish-kampionit të botës, portierit legjendar Dino Zoff, ndërkohë që ndoshta një tifoz i Lacios ka propozuar presidentin e ekipit, Claudio Lotito.
Deputetë ose senatorë të dashuruar për muzikën kanë propozuar prezantuesin e festivalit të San Remos, Amadeus, ndërkohë që ata që nuk humbin edhe një dokumentar të vetëm kanë propozuar mitin Piero Angela dhe të birin Alberto, të paharruar edhe në Shqipëri me programin “Quark”.
Natyrisht, edhe gazetarit më i njohur në vendin fqinj, Bruno Vespa, nuk mund t’i mungonte një votë si kandidat për president, diçka që atij i ka ndodhur edhe në zgjedhje të tjera.
Por cilët janë kandidatët real?
Ekuilibrat në mazhorancën duket se do të shkojnë drejt një kandidati që nuk përfaqëson një krah politik të përveçëm. Emra si ato të ish kreut të Parlamentit Pier Ferdinando Casini ose të kreut aktual të senatit Elisabetta Casellati mund të zbehen pikërisht nga kjo qasje.
Mbetet hipoteza që çon kryeministrin Mario Draghi në pallatin presidencial të Quirinales, por parti si 5 Yjet do të dëshironin që ai të mbetej kreu i ekzekutivit në një periudhë të vështirë ndërkombëtarisht si dhe për ekonominë italiane të goditur nga pandemia.
Si votohet presidenti?
Si traditë, 1009 votuesit e presidentit janë rezultati i deputetëve, senatorëve dhe 58 delegatëve, tre për çdo rajon italian, me përjashtim të Val D’Aosta që ka vetëm një të tillë.
Çdo ditë ka një votim të vetëm, dhe mund të votohet çdo nënshtetas që ka tejkaluar moshën 50-vjeçare. Në tre raundet e para të votimit, duhet një mazhorancë e cilësuar votash, pra dy të tretat e totalit ose 673 vota, nga raundi i katërt, mjafton mazhoranca e thjeshtë, pra 50% plus një votë, ose më thjeshtë 505 vota.
/Burimi: Ansa/ Përshtati: Priza.al/