Pasditen e sotme pritet të mbahet seanca plenare, teksa përfundon edhe afati i përjashtimit të 23 deputetëve të opozitës.
Këto të fundit u përjashtuan me vendim të Sekretariatit të Etikës më datë 19 tetor, pas kaosit në seancën e asaj dite.
Kreu i Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi ka bërë thirrje që deputetët të mblidhen në 16:30 në Kuvend dhe të futen së bashku në seancë.
“Nesër (sot) e hënë, ora 17:00, është planifikuar seanca e radhës plenare. Pavarësisht vendimit të përjashtimit arbitrar, i cili parashikon përjashtimin tonë për 11 ditë, ne duhet të jemi të gjithë në seancë. Për këtë qëllim, mblidhemi të gjithë bashkë në orën 16:30 për të shkuar në grup në seancë. Ndërkohë, mbledhja e radhës e grupit do të zhvillohet si zakonisht, të martën, datë 31 Tetor, ora 13:00. Ju përshëndes!”, – shkruhet në mesazhin e Bardhit.
Opozitarët e përjashtuar do të mbërrijnë në Kuvend për t’u bërë pjesë e seancës, pasi argumentojnë se afati 10 ditor i përjashtimit ka përfunduar më datë 29 tetor.