Nga Roland Qafoku
Revolucion nuk ishte. Demokracia nuk u shpëtua dhe Edi Rama nuk iku. Protesta e 11 shkurit realizuar nga opozita nuk arriti as pritshmëritë, as premtimet dhe as parashikimet e Sali Berishës. Por çfarë solli në të vërtetë manifestimi prej rreth tre orësh në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë?
Së pari, protesta nuk arriti të krijojë frymën që reklamuan liderët e saj, Sali Berisha dhe bashkëpunëtorët e tij se kjo do ishte protesta më e madhe dhe më e fuqishme që kishte organizuar ndonjëherë PD, duke sjellë një inflacion të madh fjalësh. Protesta jo vetëm nuk ndryshoi aspak nga çdo manifestim tjetër, por ajo madje ishte më e pakët në numër se ajo e korrikut të vitit të shkuar. Pjesa gri nuk u duk gjëkundi. Në të nuk u vu re as rini masive, ndërkohë që banorët e Tiranës dukeshin në minorancë. Ishte i njëjti stil dhe i njëjti skenar i vjetër që niste si kolonë zanore me tingujt e suedezëve “Europe” me “The final countdown” e vitit 1986 e deri te fjalimet boshe pa ndonjë sens të fortë dhe impakt.
Së dyti, protesta nuk solli largimin e kryeministrit Edi Rama siç ishte premtuar dhe deklaruar nga Sali Berisha. Tre orë bllokimi i bulevardit, hedhja e disa shashkave me ngjyra blu dhe të kuq dhe një xhiro në dyert e disa institucioneve nuk krijuan as shqetësimin më të vogël për qeverinë dhe jo më të largonin Edi Ramën. Madje, kryeministri kishte luksin që në momentin kur nisi protesta të postonte në faqen e tij në facebook një video ku shfaqte veten duke realizuar një skulpturë duke përdorur fjalë me kod si “varja” që nënkuptonte se nuk shqetësohej nga ajo që po ndodhte. Rama na risolli pa dashje në vëmendje historinë e kryeministrit Fan Nolit që kur në dhjetor 1924 Zogu nisi revolucionin e tij për ta larguar, lunate oboe në zyrë. Por ama as Rama nuk është Fan Noli dhe as Berisha nuk është Ahmet Zogu.
Së treti, protesta nuk arriti të bashkonte opozitën. Partia Demokratike vijoi të jetë e përgjysmuar si grup parlamentar dhe debati për vulën vijon të mbizotëroë edhe pas protestës. Vërtetë në të u pa ndonjë figurë si Jorida Tabaku, por prania e saj aty nënkupton se është pro protestës por kundër Berishës. PD vijon e përçarë dhe ky është problem mbi problemet që ka kjo parti. Asnjë lëvizje dhe asnjë revolucion nuk mund të bëjë opozita me një PD të ndarë dhe përçarë pavarëissht retorikave të eksponentëve dhe liderëve të saj. Thirrja te selia e PS-së ishte më shumë një dëshpërim për PD-në se sa fjalë për të ndikuar te “socialistët e ndershëm’. Problemi sot është një PD e përçarë dhe jo problemet në PS, e cila është në vitin e 10-të të mandatit të tretë qeverisës.
Së katërti, protesta nuk arriti të unifikojë as partitë opozitare. Kjo u duk jo vetëm në mungesën e disa figurave të njohura të opozitës në të, por edhe nxitimi për të nisur fjalimet nga Belind Këlliçi, ndërkohë që Ilir Meta ende nuk kishte mbërritur në bulevard është një shenjë se jo pak gjëra nuk shkojnë mirë aty. Dukja se opozita është e bashkuar, është një fasadë që u konfirmuar edhe në këtë protestë.
Së pesti, protesta nuk tregoi një zemërim më të madh popullor se protesta paraardhëse. Edhe pse që nga korriku e deri më sot kësaj qeverie i kanë ndodhur skandale të rënda si ai me McGonigal, Inceneratorët, zyrtarë të kapur me miliona euro në banesë dhe zyrtarë të kapur me drogë, përsëri opozita nuk ka arritur të shtojë mbështetësit. Reagimi i tyre nuk është në përpjestim të drejtë me shtimi i zullumeve të qeverisë. Ndërkaq, thirrjet se “revolucioni vazhdon me vijimin e protesave para parlamentit” janë përpjekje për të mbajtur gjallë frymën opozitare. Por si do arrihet dhe si do mbahet kjo frymë, kjo duket e paqartë. Opozitarët janë të lodhur, të zhgënjyer dhe të dëshpëruar. Nuk ndizet revolucioni me të njëjtat tablo, me të njëjtët skenarë dhe me të njëjtën njerëz që nuk motivojnë.
Së gjashti, protesta tregoi se skandali i fundit me ish-shefin e kundërzbulimit të FBI-së Charles McGonigal ka sjellë interes por nuk ka sjellë reagim të fortë në masën e njerëzve ndaj qeverisë. Protesta tregoi se më shumë se “një zyrtar i FBI në kthetrat e Ramës” dhe “tradhtia e Ramës ndaj SHBA” popullit i interesojnë të ardhurat personale, ekonomia, puna dhe familja e vet. Kthimi i këtij skandali në një “casus” është mëse normale për një opozitë. Por po aq normal është se kjo histori nuk arriti të bëjë që njerëzit të ngrihen të indinjuar kundër Ramës kjo nuk ndodhi në protestë dhe nuk po ndodh.
Së shtati, protesta tregoi se ajo ishte shumë herë më pak ndikuese dhe diktuese edhe se protestat që organizonte Lulzim Basha kur drejtonte PD-në. Aq e saktë rezulton kjo saqë një faqe me humor në rrjetet sociale shkruante pas protestës: “O Lul, kthehu se kemi bo shaka”!
Së teti, protesta tregoi se Sali Berisha vijon të konfirmohet si lider i padiskutueshëm i Partisë Demokratike pavarësisht problemeve që ai ka me shpalljen non grata nga SHBA. Edhe pse afër 79 vjeç ai tregoi se energjitë dhe pasionin e tij nuk e ka askush në këtë parti dhe ky është një problem shumë i madh. Kjo tregon edhe një herë se politikanët që aderojnë aty janë thjesht derivate dhe asnjë prej tyre nuk përgatitete për tu kthyer në figurë qendrore e kësaj aprtie. Përpjekjet e disave për tu rritur si figura me metoda “po pres se do vi dita ime”, i ngjajnë zogjve të vegjël nw fole që edhe pse e hapin shumë gojën për tu ushqyer në fole, mbeten zogj në pritje që nëna tu sjellë ushqim.
Së nënti, protesa tregoi se marrëdhëniet e PD me SHBA vijojën të jenë të ndera. Fjalët “guvernante” për ambasadoren Yuri Kim ia kishin lënë vendin një parrulle që paraqiste në foto Ramën duke u takuar me Kim e shoqëruar me diciturën; “Unë që kam korruptuar një drejtor të FBI-së. Yuri Kim që më përgëzon për luftën ndaj korrupsionit”. PD dhe Berisha vijojnë të këmbëngulin në këtë betejë të tyre duke mos kuptuar asgjë nga historia e këtyre 33 viteve në Shqipëri se një politikan që nuk ka marrëdhënie të mira me SHBA kurrë nuk vjen në pushtet dhe nuk ka sukses në politikë. Për kujtesë, vetë Sali Berisha, sukseset më të mëdha në karrierën e tij i ka patur gjatë kohës që marrëdhëniet me SHBA kanë qenë shumë të mira.
Së dhjeti, protesta tregoi se gjasat janë që zgjedhjet e 14 majit të jenë një goditje tjetër për PD dhe opozitën në këtë situatë që ndodhet ajo. Garimi me dy kandidatë duket më i sigurtë se kurrë dhe kjo do jetë varrosje për opozitën. 622265 votat e fituara në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021 nga PD duket se nuk do arrihen në zgjedhjet e afërta lokale dhe humbje e mundshme do jetë një goditje e rëndë për këtë parti.