Përfundojnë ndeshjet e raundit të tretë në grupet e Champions League.
Milani tregoi limitet ndaj Chelsea-t. Pikërisht atëherë kur “Djajtë” duhej të nxirrnin në pah potencialin si skuadra më e fortë në Itali, mposhten 3-0 në Londër.
Blutë e filluan takimin me mjaft agresivitet. Mejson Maunt vuri në provë portierin Tatarushanu, por ky i fundit do reagonte menjëherë, duke neutralizuar aksionin. Pas tij, ishte Tiago Silva që tentoi gol me kokë, por nuk ia doli. Në minutën e 24, një rrëmujë në zonë i dha mundësinë Fofanas të zhbllokonte ndeshjen. Ekipi i Piolit vuajti shumë te finalizimi dhe e pati mjaft të vështirë të gjente hapësira për të gjuajtuar në portë.
Fillimi i pjesës së dytë nxori zbuluar mbrojtjen e kampionëve të Italisë, pasi pësuan dy gola me Obamejang dhe Xhejms. Gara në grupin E është mjaft e fortë, pasi të dy këto ekipe kanë nga katër pikë dhe pozicionohen përkatësisht në vendin e dytë dhe të tretë.
Në Grupin H, Juventusi futet në valle për kualifikim, pasi ka marrë 3 pikët e para. Bardhezinjtë triumfuan 3-1 ndaj Makabi Haifas. Ashtu siç pritej, transferta e PSG ndaj Benfikës rezultoi mjaft e vështirë, pasi takimi përfundoi me të njëjtat shifra që u mbyll edhe pjesa e parë (1-1).
Në ndeshjen e grupit F, Reali i Madridit mundi 2-1 Shakhtarin e Donjetskut. Rodrigo dhe Vinisius dhanë epërsinë e dyfishtë madrilenëve, brenda gjysmë ore lojë. Ukrainasit u “zgjuan” me Zubkov, por pa mundur dot të merrnin barazimin.
Haland nuk e ka ndërmend të ndalet. Ylli norvegjez “tundi rrjetën” 2 herë ndaj Kopenhagenit. Sikur të mos mjaftonte spektakli personal i tij, vuajtjet mysafirëve ua shton Khosholava me autogolin e tij. Në pjesën e dytë, s’munguan as Alvarez dhe Mahrez. Takimi u mbyll 5-0, ndeshje kjo që u luajt vetëm në një krah. Sevija pësoi disfatë 1-4 nga Borusia e Dortmundit.