Britania e Madhe është shndërruar këtë verë në destinacionin e preferuar të shqiptarëve për të emigruar ilegalisht dhe për të kërkuar statusin e azilantit.
Rrugëtimi me gomone përmes kanalit të “La Manshit” u kthye në një trend i rrjeteve sociale edhe prej kostos shumë herë më të lirë se rrugëkalimet tradicionale me kamion nga portet e Belgjikës, Holandës dhe Francës.
Pavarësisht rrezikut që mbart kjo mënyrë e re e trafikut të qenieve njerëzore shtyu qindra të rinj (kryesisht djem), por edhe nëna e baballarë me fëmijë në krahë që t’i drejtoheshin ishullit me shpresën për një jetë më të mirë.
Por, teksa lëvizja në “La Mansh” ka marrë një goditje pas zgjedhjes së kryeministres së re britanike Liz Truss dhe planeve të ashpra të emigracionit që pritet të vihen në zbatim, shqiptarët duket se kanë zbuluar rrugë të reja kalimi.
Së fundmi, mediat italiane njoftojnë se është arrestuar në aeroportin e Salentos, në Brindizi, një çift shqiptarësh, të cilët kanë tentuar të kalojnë me dy pasaporta false në drejtim të Anglisë.
Ishin agjentët që ngritën dyshime për qëndrimin e dy udhëtarëve dhe vendosën t’i kontrollojnë pasaportat me pajisje shkencore duke zbuluar se ishin false dhe arrestuar më pas dy shqiptarët.
Sipas mediave vendase ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 20 shtatorit kur agjentët e Polaria (Policia Kufitare Ajrore) prangosën në aeroport një 31-vjeçare shqiptare dhe një 27-vjeçar.
Burri dhe gruaja i dhanë oficerëve dy pasaporta elektronike dhe dy bileta fluturimi për në Londër dhe dokumentet e falsifikuara ishin thuajse të besueshme dhe mund të mashtronin policët në një kontroll të përciptë.
Qëndrimi i çiftit shqiptar me dhënien e përgjigjeve të vonuara dhe konfuzioni i treguar pas pyetjeve të agjentëve për origjinën dhe qëllimin e udhëtimit të tyre, shtyn drejt ndalimit të tyre nëpërmjet përdorimit të pajisjeve shkencore.