Enti Rregullator i Energjisë miratoi vetëm pak kohë më parë kriteret e cilësisë së furnizimit duke parashtruar në të detyrat që duhet të përmbushen nga operatorët dhe kryesisht nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.
Por në një shkresë të fundit të paraqitur nga kjo kompani pranë Entit sqarohen disa nga ngërçet që hasën dhe që lidhen me arsyet se pse disa parametra të përcaktuar janë të vështirë për t’u arritur. Një ndër këto elementë që OSHEE sjell në vëmendje janë kabinat private. Bëhet fjalë për ato kabina në rrjetin 6-10kv që përbëjnë 57 për qind të kabinave totale në rrjet. Sipas OSHEE më shumë se gjysma e këtyre kabinave nuk janë në pronësi të saj e për këtë arsye kompania nuk mund të kryejë investime.
“Kabinat private të lidhura në rrjet zënë rreth 51 % të numrit total të kabinave. Përdoruesit private të këtyre kabinave nuk i mirëmbajnë, operojnë dhe shfrytëzojnë këto kabina sipas kërkesave të Kodit të Shpërndarjes të Energjisë Elektrike duke provokuar ndërprerje, avari në rrjet, vonesa në rikthimin e energjisë, shkallë të ulët sigurie gjatë operimit. Përdoruesit e rrjetit të lidhur ndër vite deri 2013 nuk kanë plotësuar standardet e kërkuara të OSSH në pikën e lidhjes duke operuar me pajisje të cilat për më tepër nuk i nënshtrohen asnjë remonti” thuhet në dokument.
I njëjti vlerëson se në zonat rurale të thella ka linja të cilat janë ndërtuar nga vetë banorët dhe janë jashtë kushteve teknike. Duke qenë pjesë integrale e rrjetit ato shpesh provokojnë ndërprerje dhe avari në rrjetin shpërndarjes.
Po kështu rritja e numrit të HEC-eve të vegjël në zonat ku konsumi është i vogël e ka kthyer rrjetin e shpërndarjes në të paaftë të përmbushë detyrimin sipas licencës për sigurimin e shpërndarjes.
Duke u ndalur tek treguesit për ndërprerjet e energjisë OSHEE nënvizon se një përllogaritje e saktë do të dilte vetëm nga një sistem “smart” (inteligjent)ndërsa aktualisht ato mbahen në Excel.
Për zona ku janë bërë investime treguesit e cilësisë sipas kompanisë janë dukshëm të mira ndërsa në zona rurale dhe ato të thella mungesa e tyre, rrjeti i amortizuar dhe lidhjet e gjata bëhen shpesh arsye për tregues të përkeqësuar dhe ndërprerje të shumta.
Situata e pandemisë sipas OSHEE dhe ajo e lidhur me mungesën e reshjeve që ka detyruar OSHEE të shpenzojë miliona euro në tregun e lirë për sigurimin e energjisë ka bërë që të ketë më pak mundësi për të investuar në rrjet e për rrjedhojë të ketë pak ndikim tek cilësia e furnizimit./Marrë nga MONITOR/