VETKONTROLLI NJERËZOR – Iluzion apo Realitet?!
A ka mundësi Njerëzimi të kontrollojë fatin e tij?
Sot, krahas luftës si fenomen i padëshirueshëm, ka edhe shumë të tjera, më shumë ose më pak të rëndësishme, si pabarazia e theksuar pasurore, sociale, dhe raciale, përhapja e drogës, sidomos tek të rinjtë, korrupsioni dhe papërgjegjshmëria e elitave politike në drejtimin e vendit, qëndrimi mospërfillës ndaj mjedisit etj. A do të jetë në gjendje Njerëzimi t’i dominojë edhe këto fenomene të padësheruara?
Nga Antikiteti grek na vjen një mesazh udhërrëfyes; në Tempullin e Delfit ka një mbishkrim: – “Njeri, njih vetveten!” Pra, çfarë është Qenia njerëzore?
Ku qëndron cilësia e pareduktueshme dhe thelbësore e autenticitetit njerëzor?
Ka të ngjarë që, në dekadat që do të vijnë, në vendet e zhvilluara, këto pyetje do të bëhen pyetje mbizotëruese.
Revolucioni social i shekullit të kaluar çoi në tundimin dhe iluzionin se inxhinjerimi njerëzor i bazuar mbi një ideologji dogmatike (komunizmi dhe nazizmi) mund të prodhojë, përmes utopive shtrënguese, mirëqenie kolektive. Nga ana tjetër edhe revolucioni në shkencë u ka dhënë qenieve njerëzore aftësinë për ta shkatërruar shoqërinë në tërësinë e saj (bomba atomike dhe armët e shkatërrimit në masë). Por po ky revolucion shkencor po bën të mundur perspektivën që qëniet njerëzore të jenë në gjendje të ndryshojnë vetveten nëpërmjet inxhinjerimit bioteknologjik dhe gjenetik. Për botën kjo do të ketë rrjedhoja etike dhe filozofike të thella.
Praktika e transplantimit të organeve njerëzore, fjala vjen, është rritur vazhdimisht. Tashmë kirurgët janë të zotët të zëvendësojnë edhe organe të tilla si zemra, veshkat dhe pankreasi. Disa hamendësojnë se nuk do të jetë e largët dita të transplantohet edhe truri, nga një trup në tjetrin; apo edhe transplantim të kujtesës apo karakterit, nga një trup tek një tjetër, të mos flasim pastaj për kirurgjinë estetike që sot po bën çudira. Shkenca është duke bërë hapa të mëdha në zhvillimin e inteligjencës artificiale. Kompjuterat e sotëm, kryesisht, janë të kufizuar në kryerjen e llogaritjeve të vështira dhe komplekse, por nesër zotësitë e tyre mund të rivalizojnë ato të trurit të njeriut. Në thelb, shkencëtarët e angazhuar në këtë fushë po përsërisin makinat me të cilat procesi evolucionar, gjatë mijëra vjetëve, ka krijuar inteligjencën njerëzore.
Në një të ardhme jo të largët kompjuterat, në vend që të kryejnë detyra, do të fillojnë të mendojnë, në vend të analizojnë të dhëna, do të arsyetojnë për të gjetur zgjidhje, në vend që të përpunojnë, do të krijojnë. Jemi në prag të prodhimit të robotëve që përvetësojnë përvojën. Nuk është për t’u çuditur që kompjuterat, si të thuash, të bëhen të vetëdijshëm, në kuptim të njohjes të qëllimeve të botës për rreth tyre, si dhe vendin e tyre në të.
Të gjitha këto bëjnë të detyrueshme daljen në plan të parë të pyetjeve kyçe si: Cilët janë kufijtë e papërsëritshm risë autentike të qenies njerëzore? Ku qëndron ndërvarësia midis filozofikes dhe fizikës në një qenie të vetme njerëzore? Cili është kriteri i përcaktimit të një shoqërie të mirë, fillimisht kombëtare dhe përfundimisht në shkallë globale? A do të mundë Njerëzimi të vet kontrollohet apo ai do të jetë viktimë e faktorëve të pakontrolluar prej tij?
Por është inxhinjerimi gjenetik ai që tashmë ka filluar të parashtrojë disa mëdyshje për të cilat betejat ideologjike të shek.20-të do t’i bëjnë të duken intelektualisht primitive dhe që mund ta ndajnë njerëzimin në një mënyrë më drastike nga ç’ka qenë i ndarë deri më sot, në të privilegjuar dhe nevojtarë. Shkencëtarët sot kanë zbuluar strukturën e Genomës njerëzore prej disa qindra mijëra gjenesh, të cilat mbartin projektin e strukturës organike që nga embrioni deri në vdekjen e organizmit të gjallë. Kështu është bërë e mundshme jo vetëm parashikimi gjenetik, por ka nisur rruga edhe e inxhinjerimit gjenetik. Në fillim kjo po aplikohet tek bimët dhe kafshët bujqësore, duke krijuar varietete homogjene apo duke përmirësuar mishin e tyre apo mbrojtjen nga sëmundjet kanceroze. Është e pashmangshme që këto arritje të mos zbatohen edhe për llojin njerëzor, duke filluar së pari, me përzgjedhjen gjenetike dhe pastaj duke u shtrirë në inxhinjerimin gjenetik. Rezultatet mund të jenë revolucionare në një shkallë të pashembullt në të gjithë historinë e njerëzimit.
Në mungesë të kritereve morale kufizuese, ekziston rreziku që dinamika e inxhinjerimit gjenetik mund të marrë inerci për hesap të vet. Nëse do të mungojnë kriteret kufizuese morale, ky proces mund të udhëhiqet nga synime egoiste dhe të shfrytëzohet prej atyre që i kanë mjetet të përfitojnë prej tyre. Ka të ngjarë që ndikimi gjenetik mbi inteligjencën apo edhe mbi cilësitë fizike të individit të bëhen së pari të arritshme për të privilegjuarit e botës. Kjo do të hapë një hendek të ri midis dy kategorive qeniesh njerëzore – elitave të vendeve respektive (politikanë, biznesmenë, apo artistë të shquar, me fuqi pagese) dhe njerëzve të zakonshëm. Pra mund të kemi, nga njëra anë, njërës të përmirësuar gjenetikisht dhe nga ana tjetër, ata që janë si i ka bërë Natyra. Njeriu i përmirësuar do të duket ndaj njeriut të zakonshëm siç duket sot Njeriu me Majmunin. Kjo të kujton synimin e social-darvinistëve, përfshirë edhe Hitlerin, por tashmë të realizuar me ndihmën e shkencës.
Kjo ngërthen pyetjen se a do të jetë filozofia e demokracisë liberale një kuadër i volitshëm dhe intelektualisht udhërëfyes për të përballuar problemet më nevralgjike njerëzore? Koha do ta tregojë nëse ky shqetësim është vërtet real, kur kthimi drejt fesë normale të institucionalizuar duket gjithmonë edhe më i pamundur.
Dua ta mbyll me një thënie të Vaclav Havelit për një ripërkufizim të Modernitetit – pra të epokës së adhurimit të “arsyes” të filluar nga Revolucioni Frances.
“Qëndrimi i njeriut ndaj botës duhet të ndryshojë rrënjësisht. Ne duhet të braktisim besimin vet përligjës, se bota është thjesht një gjëegjëze për t’u zgjidhur, një makinë me udhëzime përdorimi që pret të zbulohet, një bllok informacioni për t’u futur në kompjuter, me shpresë që shpejt a vonë do të dalë si nga furra me një zgjidhje të gjithmbarshme. Unë kam bindjen e thellë se nga sfera e trillit privat duhen çliruar forca të tilla si: eksperienca e natyrshme, e pashoqe dhe e papërsëritshme e botës, ndjenja elementare e drejtësisë, aftësia për t’i parë gjërat siç i shikojnë të tjerët, ndjenja e përgjegjësisë transcendentale, mençuria arketipe, shija e mirë, guximi, mëshira dhe feja. Forca të tilla duhen rehabilituar”.