Nga: Mentor Kikia
PS dhe PD e ndërprenë fushatën sot për të nderuar largimin nga kjo jetë të Bashkim Finos, një politikan prej 23 vjetësh. Por çfarë ka Bashkim Fino, që i bëri bashkë në këtë heshtje të githa palët, dhe të gjithë shprehen ngushëllimet për të? Madje, në rrjetet sociale, askush nuk “gjeti” të thotë një fjalë të keqe.
Ata që e kanë patur mik të ngushtë, e mbajnë mend për një njeri babaxhan, fisnik dhe plot humor.
Përtej kësaj, cili ishte kontributi i tij në politikë?
Përveçse ishte kryeministri i Pajtimit Kombëtar, në 1997, ai ishte gjithashtu edhe nga të paktët zëra që guxonte të thoshte ndonjë fjalë edhe kundër projektligjeve të partisë së tij, kur të tjerët ngrinin thjeshtë kartonat e votonin kokëulur, edhe kur mendonin ndryshe.
Por, a ishte zoti Fino “heroi” i politikës sonë?
Padyshim që jo!
Bashkim Fino nuk ka ndonjë meritë për ndonjë gjë të madhe që është bërë në këtë vend. Ndonjë ligj apo nismë “revolucionare” për shoqërinë dhe demokracinë tonë, nuk mban firmën e tij. Politika shqiptare nuk ka patur deri tani një Linkoln, një Çhurçhill apo një Merkel.
Por, Bashkim Fino, nuk ishte një njeri i korruptuar.
Bashkim Fino nuk ishte një njeri konfliktual, as agresiv.
Pra, ai ishte më i mirë se të tjerët, sepse ai nuk ishte i keq, ose më saktë, ai nuk i bëri keq këtij vendi. Dhe, në një parlament, ku shumica hyjnë për të zhvatur, ku shumica shesin kartonin për tendera e koncensione, të mos bësh keq, duket gjithësesi një heroizëm.
Dhe për këtë unë mendoj se Fino ia vlen të respektohet.