Gazetari Çim Peka ka zbuluar “kurthin” e Lulzim Bashës për protestën e nesërme, ndërsa ishte i ftuar këtë të premte në emisionin Top Talk në Top Channel drejtuar nga Denis Dyrnjaja.
Sipas tij, mbështetësit e Berishës do të shkojnë në seli, por Basha nuk do të jetë atje.
Basha ka për detyrë të krijojë incident që forcat të cilat do të jenë në gatishmëri të ndërhyjnë, sipas Pekës duke theksuar se demokratët nuk do të lejojnë që Rama të marrë edhe opozitën.
“Nesër është një gjë e sigurt që demokratët do të hyjnë në seli dhe Basha nuk do të jetë. Ajo çfarë është në dorë të Bashës është masa dhe vendimi i tij për incidentin. Unë kam një sms, kam komunikimin e ministrit të brendshëm me forcat operacionale. Është vendosur që gjithë FNSH të rrethojë nga xhamia. Basha ka një detyrë të krijojë incidentin që ata të ndërhyjnë, ishalla e bëjnë këtë punë. Më shumë del në dritë fakti që ai njeri është një peng. Ajo që shqiptarët nuk mund ta pranojnë është se Rama u vodhi dhe mandatin e tretë, por të marrë dhe opozitën?! Me aq sa kuptoj unë do të jenë anëtarë që kanë votuar shkarkimin e tij, mbi 44 mijë njerëz, jo Rama me gardën dhe Lulin, kush të dojë le të vijë,ata njerëz si ndalon dot”, tha Peka.
Ish kreu i PD-së, Sali Berisha ka paralajmëruar protestë nesër, 8 janar, pasi Basha nuk iu bind ultimatumit për të liruar zyrën në datën pesë janar.
Data pesë janar ishte dita e fundit e afatit të vendosur nga Berisha që kryetari aktual i PD-së, Lulzim Basha të largohet nga posti, pasi sipas tij u shkarkua me votën e lirë nga 4446 delegatë të Kuvendit Kombëtar të PD-së, të datës 11 Dhjetor dhe nga 44 mijë anëtarë të PD-së, që morën pjesë në Referendumin e Partisë Demokratike të datës 18 Dhjetor.
Gjithashtu anëtarët e Komisionit të Përkohshëm të Rithemelimit të Partisë Demokratike, mbështetës të Berishës nuk janë lejuar të futen në seli, me arsyen se po kryehen punime, ndërsa në selinë blu kanë dalë foto se dyert po blinohen dhe janë shtuar kamera.
Situata e ndërlikuar prej muajsh brenda PD-së, duket se nuk do të ketë një fund, ndërsa dita-ditës rëndohet.
Nuk dihet ende se çfarë do të ndodhë të shtunën, në protestën e paralajmëruar nga Berisha, nëse do të ketë skena dhune apo do të jetë një protestë paqësore.
/Burimi: Top Channel/