Përmbarimi ka shembur çadrën e Cirkut Kombëtar në Tiranë, një nga ndërtesat historike në vend, ku artistët kanë dhënë shfaqje për 62 vite.
Pas kësaj ngjarje, artistët protestuan para ministrisë për të marrë një zgjidhje, që nuk ka ardhur ende.
Akrobati Rubin Zuna në një lidhje live në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel tha se në atë cirk kanë interpretuar gjyshi i tij e shumë figura të shquara të artit.
Sipas tij, artistëve u thanë se nuk do të shembej dhe se do të gjendej një zgjidhje, por kjo gjë nuk ndodhi.
Ministria nuk mbajti fjalën dhe nuk po gjen asnjë zgjidhje sipas akrobatit.
“Në atë cirk kanë interpretuar gjyshi, nuk ndihem mirë, është shkatërruar çdo gjë dhe e prisja që kështu do të ndodhte, i kemi mbush xhepat me këto premtime. Duam ndihmë, do të shkojmë nesër në punë. Pse nuk ishte asnjë nga ministria kur u shkatërrua çadra? Mos të bëjmë që nuk e dinim. jemi të braktisur”, tha ai.
“Na thanë se nuk do të prishet çadra. Ata janë përmbarues privatë. Ministria na tha që nuk do të prishet. Ku do të shkojmë ne si artistë cirku. Ne tani nuk po stërvitemi më, shkova si çdo mëngjes po hasëm me ata të përmbarimit, na thanë jo më nuk është më pronë e juaja, shkoni ku të doni”, tha Zuna.
A ka pasur negociata me Ministrinë e Kulturës?
“Me këtë punë janë marrë sindikatat, me çfarë kam dëgjuar janë bërë negociatat, por përgjigjet janë po po pa merak. Siç na thanë dje që plani A është akoma. Është bastarduar arena e cirkut në mes të Tiranës. Kemi qenë pa gjumë gjithë natën, stres. Na thanë që do të luftojmë fort që të mos prishet. Veç çadrës na kanë marrë edhe ambientet e palestrës. Cirkun e bëjnë artistët jo çadra, thonë, por në të vërtetë cirkun e bën çdo gjë.”
Cili është vendimi që keni marrë si artistë?
“Ishim në protestë se prisnim ndonjë reagim. Do luftojmë që të gjejmë një terren tjetër, edhe pse jam që mos të s’postohet, se e di se sa e bëjnë ata cirkun e ri. Këtu na prishet cirku ekzistues, këtej nuk kemi një të ri. Se dinë ata që cirku ka vegla specifike, nuk mund të bëhet në çdo vend”, tha artisti.
/Burimi: Top Channel/