Autoritetet kolumbiane janë të përqendruara në shkatërrimin e bandës Clan del Golfo – rrjeti i së cilës shtrihet në 28 vende në mbarë botën – pas kapjes së liderit të grupit në fund të muajit të kaluar.
Dairo Antonio Usuga, i njohur ndryshe si “Otoniel”, ishte bosi i drogës më i kërkuar në vend derisa u arrestua në rajonin verior të xhunglës Uraba, në atë që presidenti kolumbian, Ivan Duque tha se ishte goditja më e rëndë e fundit ndaj trafikut të drogës.
Ish-organizata e Usugas ka aleanca me pesë kartele ndërkombëtare dhe grupe mafioze për të shpërndarë 20 tonë kokainë në muaj, u tha gazetarëve gjenerali, Jorge Luis Vargas, drejtori i policisë kombëtare, raporton reuters.
“Pesë grupe mafioze dhe kartele ndërkombëtare janë drejtuesit me të cilët trafikon Klani del Golfo: Jalisco Nueva Generacion dhe Sinaloa në Meksikë, mafia Calabresa dhe Siciliana në Itali dhe rrjetet Ballkanike”, tha Vargas.
Usuga po pastronte paratë e Klanit me njerëz të biznesit me origjinë libaneze, arabe dhe izraelite, tha Vargas, pa dhënë detaje. “Ne kemi identifikuar 28 vende” ku kokaina dërgohet nga grupi, tha Vargas.
Krahas rrugëve të rregullta drejt Shteteve të Bashkuara përmes Amerikës Qendrore, Klani dërgon lëndën narkotike në Belgjikë, Spanjë, Holandë, Gjermani, Francë, Irlandë, Britani, Itali, Shqipëri dhe Ukrainë. Grupi ka lidhje deri në Iran, Kinë, Australi dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, tha Vargas.
“Nuk është e zakonshme që një organizatë, dhe veçanërisht një kolumbiane, të trafikojë në ato vende”, shtoi ai.
Qeveria ka thënë se ekstradimi i Otoniel në Shtetet e Bashkuara për akuzat e trafikut të drogës është një përparësi, por Vargas nuk dha një datë për procedurën.
/Burimi: Reuters/ Përshtati: Priza.al/