Çmimi mesatar i një metri katror në Tiranë deri në fund të muajit shtator 2021 arriti në 1,121 euro/metër katror, sipas indeksit të “Keydata Albania”.
Në krahasim me 2005-n, viti më i hershëm kur ka filluar llogaritja, rritja e çmimeve është rreth 73% më shumë. Rritja e çmimeve ka filluar që në 3-mujorin e tretë të 2020 deri në 3-mujorin e tretë të 2021.
Sipas raportit në Grafikun 1 është paraqitur kurba e evoluimit në kohë të indeksit të çmimit real të shitjes së apartamenteve në Tiranë për periudhën e tremujorëve 2020-2021. Si bazë krahasuese për të gjitha periudhat e përfshira në vlerësim, ekspertët e Keydata kanë përcaktuar vitin 2005 si një periudhë që plotëson kriteret dhe kushtet e një momenti të qëndrueshëm për tregun e pronave të paluajtshme. Vlera e indeksit për vitin 2005 është caktuar 100.
Nga tremujori i dytë 2021 deri në tremujorin e tretë 2021, çmimi real i shitjes së apartamenteve në Tiranë është rritur me 0.63 %. Inflacioni kumulativ për tremujorët 2020-2021 përllogaritet në 11.6%.
Referuar grafikut të mësipërm, kurba e indeksit të çmimit të shitjes së apartamenteve në Tiranë ka pësuar fluktuacione të pakta përgjatë kësaj periudhe kohore, mes të cilave do të nënvizonim: momentet kryesore të rritjes janë tremujori i tretë 2020 deri në tremujorin e tretë 2021; indeksi është rritur me: 3.2%; 2.2%, 0.4 %, 0.69% dhe 0.63% përkatësisht nga njëri tremujor në tjetrin. Rënie në indeks vërehet nga tremujori i parë në tremujorin e dytë 2020, një rënie me 2.37 % në indeksin e çmimit të shitjes së apartamenteve në Tiranë.
Në raportin e indeksit janë paraqitur çmimet mesatare reale dhe mediane të shitjes së apartamenteve në Tiranë për 11 zona administrative të Tiranës në 3 ndarje të mëdha zonale: brenda Unazës së vogël, Bllok dhe jashtë Unazës së vogël.
Në Grafikun 2 paraqitet çmimi mesatar real i shitjes së apartamenteve në Tiranë në Euro/m2 për periudhën e tremujorëve 2020-2021, shprehur në vlerë reale (i deflatuar me normën e inflacionit) si dhe çmimet mediane (vlera e mesit). Nga tremujori i parë 2021 deri në tremujorin e tretë 2021, niveli i çmimeve mesatare reale në Tiranë ka lëvizur brenda intervalit 1,030 €/m2 – 1,121 €/m2, ndërsa çmimet mediane brenda intervalit 984 në 1,013 €/m2.
Në tremujorin e tretë 2021, çmimet mesatare dhe mediane përllogariten në 1,121 €/m2 dhe 1,012 €/m2, respektivisht. Krahasimisht me tremujorin e dytë 2021, në këtë tremujor, çmimet mesatare reale të shitjes së apartamenteve në Tiranë janë rritur me 1.71%, ndërsa çmimet mediane janë ulur me 0.32%.
Ҫmimet mesatare, në ndryshim nga indeksi i çmimeve, përllogariten në proporcion me numrin e apartamenteve që janë në shitje në një periudhë të caktuar. Kështu, një rritje apo rënie në çmimet mesatare, jo domosdoshmërisht duhet të interpretohet me një dukuri që mund të ketë ndodhur të tregun e pasurive të paluajtshme. Ajo mund të interpretohet me faktin se në një moment të caktuar, oferta për apartamente është rritur ose ulur.
Në Grafikun 3, paraqitet çmimi mesatar real dhe median i shitjes së apartamenteve në Tiranë (Euro/m2) në zonën brenda Unazës së vogël për periudhën e tremujorëve 2020-2021. Siç mund të vihet re nga grafiku, çmimi mesatar real i shitjes në këtë zonë, ka ardhur duke u rritur, në intervalin 1,128 – 1,212 €/m2. Çmimet mediane luhaten në intervalet 1,074 – 1,152€/m2.
Tendenca rritëse e çmimeve në zonën brenda Unazës së vogël vihet re në tremujorin e tretë 2021. Në këtë tremujor, çmimi mesatar përllogaritet në 1,212 €/m2; çmimi median përllogaritet në 1,152 €/m2. Krahasuar me tremujorin e dytë 2021, në këtë tremujor, çmimet mesatare janë rritur me 3.22% dhe çmimet mediane me 3.83%.’
Në Grafikun 4 është paraqitur kurba e evoluimit të çmimit mesatar real dhe medianës së çmimeve (Euro/m2) të apartamenteve në zonën e Bllokut. Në këtë zonë, çmimet mesatare të shitjes kanë pësuar një luhatje të lehtë, krahasuar me zonën brenda Unazës, duke variuar në intervalin 1,462€/m2-1,626 €/m2 ndërsa çmimet median brenda intervalit 1,387€/m2 -1,554€/m2.
Një rënie e nivelit të çmimeve mesatare reale vihet re në tremujorin e dytë 2020, 13.7%, shoqëruar më pas me një rritje me të madhe me 20.7% krahasuar me një tremujor më parë, një rënie me 3.2 % nga tremujori i katërt 2020 në tremujorin e parë 2021 shoqëruar më pas me një rritje me 6.2% dhe sërisht një rënie me 2.9% nga tremujori i dytë në tremujorin e tretë 2021. Përsa i përket periudhës aktuale, në këtë tremujor të tretë 2021, mesatarisht një apartament në zonën e bllokut shitet në vlerën 1,626 €/m2, çmimi median përllogaritet në vlerën 1,554 €/m2. Çmimet mesatare në këtë tremujor krahasuar me tremujorin e dytë 2021 janë rritur me 2.9% ndërsa çmimet mediane janë rritur me 7.66%.
Në Grafikun 5 paraqitet evoluimi i çmimit mesatar real dhe median të shitjes në Euro/m2 të apartamenteve në zonën jashtë Unazës së vogël. Çmimet mesatare reale në këtë zonë variojnë nga një interval 959 €/m2 deri në 1,036 €/m2 në tremujorin e parë 2021. Çmimet mediane variojnë në intervalin nga 930 €/m2 – 951 €/m2.
Tremujori i dytë 2021 karakterizohet nga një rritje e çmimeve mesatare të shitjes së apartamenteve në këtë zonë. Ҫmimet reale mesatare përllogariten në 1,039 €/m2, ndërsa çmimet mediane në nivelin 977 €/m2, duke pësuar një rritje me 0.51 % dhe 2.36% krahasuar me tremujorin e dytë 2021.
/Burimi: Monitor/