Çmimi Nobel 2021/ Tre ekonomistët që sollën ide të reja në tregun e punës

Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave bëri me dije se laureatët e Çmimit Nobel në Ekonomi për këtë vit janë kanadezi David Card, amerikano-izraeliti Joshua Angrist dhe amerikano-holandezi, Guido Imbens.

Juria e Nobelit vuri në pah se “treshja solli ide të reja në tregun e punës, tregoi se çfarë përfundimesh mund të nxirren nga eksperimentet natyrore në aspektin shkak-pasojë dhe qasjet e tyre u përhapën në fusha të tjera duke ndryshuar rrënjësisht kërkimet empirike”.

“Kanadezi Card u vlerësua për kontributin e tij empirik në ekonomi, ndërsa amerikano-izraeliti Angrist dhe amerikano-holandezi Imben për kontributet e tyre metodologjike në analizën e marrëdhënieve rastësore”, theksoi ajo.

Përveç medaljes së artë, laureatët e Nobelit do të marrin edhe një shpërblim prej 10 milionë koronash suedeze (rreth 1 milion e 145 mijë dollarë amerikanë).

Çmimi Nobel në Shkencat Ekonomike është i fundit që jepet për këtë vit, pak ditë më parë u ndanë çmimet Nobel në Mjekësi, Fizik, Kimi, Paqe dhe Letërsi.

Çmimet Nobel 2021:

Çmimi Nobel në Fizikë iu dha të martën e kaluar tre shkencëtarëve, Syukuro Manabe, Klaus Hasselmann dhe Giorgio Parisi “për kontribute novatore në kuptimin e sistemeve komplekse fizike”.

Benjamin List dhe David W.C. MacMillan u emëruan si laureatë të Çmimit Nobel për Kimi të mërkurën për gjetjen e një mënyre më të lehtë dhe më të pastër për mjedisin për të ndërtuar molekula që mund të përdoren për të bërë komponime, përfshirë ilaçe dhe pesticide.

Çmimi Nobel për Letërsinë iu dha të premten shkrimtarit tanzanian me banim në Mbretërinë e Bashkuar, Abdulrazak Gurnah, i cili u njoh për “depërtimin e tij të pakompromis dhe të dhembshur në efektet e kolonializmit dhe fatin e refugjatit”.

Gazetarët Maria Ressa dhe Dmitry Muratov kanë fituar çmimin Nobel për Paqen për vitin 2021 për “përpjekjet për të mbrojtur lirinë e shprehjes”.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *