Operacioni i Europol dhe Guardia Civil në Spanjë për të çmontuar një bandë shqiptare të drogës dhe grabitjeve, e njohur gjerësisht si “klani i Farrukut” është finalizuar me sukses, duke çuar pas hekurave 17 persona.
Gjatë hetimit, organizatës i janë atribuar sekuestrime të shumta droge në vende të ndryshme të Europës, me përllgaritjet që tregojnë se në total janë kapur rreth 10 mijë kilogramë kokainë dhe 10 mijë kilogramë hashash nga klani i Kreshnik Farrukut.
Për operacionin në fjalë u angazhuan 250 efektivë policie dhe u kryen 21 kontrolle në provincat e Cádiz, Málaga, Madrid, Barcelonë dhe Toledo. Deri më tani janë sekuestruar 25 automjete dhe 22 pasuri të paluajtshme me një vlerë të përafërt mbi 4 milionë e 200 mijë euro.
Operacioni, i mbështetur edhe nga Europol, filloi në shtator 2021 kur agjentët zbuluan një grup njerëzish që po përgatiteshin të fusnin një sasi të madhe kokaine të fshehur në një kontejner përmes Portit të Algeciras. Ky fakt u konfirmua në janar të vitit 2022, kur 2 ton kokainë u gjet e fshehur në një kontenier që erdhi nga Guayaquil (Ekuador).
Që nga ai moment, hetuesit kanë kryer një punë të mundimshme për të identifikuar dhe lokalizuar anëtarët e organizatës, si dhe për të përcaktuar pozicionin e tyre në strukturën hierarkike, përfshirë drejtuesit e tyre. Në këtë proces, është zbuluar se organizata është përgjegjëse edhe për tentativa të tjera për futjen e kokainës në tregjet evropiane. Në këtë mënyrë, është bërë e mundur të lidhen me organizatën veprime të shumta që pasqyrojnë kapacitetin e madh që ajo kishte për të futur sasi të mëdha kokaine përmes porteve kryesore evropiane në dy vitet e fundit në Itali, Belgjikë, Greqi, Portugali, Holandë apo Spanjë.
Banda gjithashtu kishte marrëveshje “kilogram-kile”, marrëveshje ku dy organizata bien dakord të shkëmbejnë hashashin me kokainë, duke përfituar reciprokisht nga çmimi i ulët i çdo produkti në burim (hashashi në Evropë dhe kokaina në Amerikën e Jugut) dhe çmimin e lartë të shitjes në destinacion.
Klani Farruk, është një klan i përbërë kryesisht i përbërë nga shqiptarë me lidhje familjare dhe drejtohet nga Kreshnik Farruku (Budlla).
Ata ishin vendosur prej disa vitesh në Spanjë, kryesisht në Madrid dhe në Costa del Sol, për të cilat ka të dhëna të shumta, përfshirë vrasje dhe aktakuza në vende të ndryshme evropiane. Kreshniku njihej edhe me emrin “Niko” dhe për të ka disa kërkesa dhe aktualisht është në arrati nga drejtësia. Ky grup familjar, megjithatë kishte hierarki në drejtimin e organizatës. Ata merrnin pjesë personalisht në mbikëqyrjen e aktiviteteve më delikate, si nxjerrja e drogës nga kontejnerët detarë ose transportimi i tyre në vendet e sigurisë së organizatës.
Forca kryesore e organizatës ishte kapaciteti i madh logjistik që kishin për të kryer këto operacione në mbarë botën. Po ashtu, gjatë hetimeve, agjentët kanë konfirmuar takime mes drejtuesve kryesorë të Klanit dhe anëtarëve të rëndësishëm të mafies kalabreze. Megjithatë, këto aleanca nuk kanë raportuar gjithmonë rezultate pozitive. Kur dy ton kokainë u kapën në janar të vitit të kaluar në Algeciras, një anëtar i këtij klani shqiptar, Ergys Dashi, u vra të nesërmen nga dy persona të cilët e qëlluan teksa po darkonte në një restorant në Guayaquil. Sipas informacioneve të marra, kjo vrasje lidhet drejtpërdrejt me humbjen e drogës në portin e Algeciras, pasi Ergys Dashi vepronte si ndërmjetës mes Organizatave Kriminale Evropiane dhe bosëve të drogës në Amerikën Latine.
Përdorimi i identiteteve të rreme
Krerët e këtij Klani kishin pasaporta false të vendeve të ndryshme evropiane, veçanërisht italiane dhe greke. Një rast i veçantë ishte ai i drejtuesit të saj, Kreshnik Budilla, alias “Niko”, të cilit i janë zbuluar më shumë se dhjetë identitete të rreme. Në këtë mënyrë u bë shumë e vështirë koordinimi dhe bashkimi i akteve kriminale që forcat e ndryshme policore europiane i atribuonin kësaj organizate kriminale.
Po kështu, gjatë operacionit u siguruan fotografi në të cilat Kreshnik Budlla mbante uniforma të Gardës Civile kur udhëtonte me automjet brenda territorit spanjoll, duke shmangur kështu identifikimin dhe ndalimin e tij. Megjithatë agjentët vijojnë hetimet, tashmë duke bërë analizën ekonomike dhe pasurore të anëtarëve kryesorë të Organizatës, si dhe të kompanive të tyre, për të përcaktuar kryerjen e krimeve të tjera, përfshirë pastrimin e parave.