Çfarë do të ndodhte me botën, në rast se Shtetet e Bashkuara do të bëheshin një fuqi e madhe normale? Po nëse ajo shkon drejt një izolacionizmi të plotë, pra nëse do të refuzonte idenë se ka një përgjegjësi të veçantë për të drejtuar një rend liberal, nga e cili përfiton e gjithë bota?
Do të ishte një largim epik nga një strategji 80-vjeçare. Megjithatë kjo nuk është më një perspektivë e çuditshme. Në vitin 2016, Donald Trump u bë president me moton “Amerika e Para”. Ai premtoi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdonin të ishin të plotfuqishme, por më të përmbajtura në angazhimet e saj jashtë vendit.
Pra do të ishte një SHBA, e cila do të maksimizonte avantazhet e saj dhe minimizonte përfshirjen në telashe. Në fakt, tipari përcaktues i botëkuptimit të Trump, është besimi i tij se Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë detyrim të ndjekin ndonjë synim më të madh sesa interesi i tyre vetjak, i interpretuar në një mënyrë shumë të ngushtë.
Sot Trump po garon sërish për president, teksa brenda Partisë Republikane po shtohen ithtarët e kësaj qasjeje ndaj politikës së jashtme. Ndërkaq, lodhja me aspektet kyçe të globalizmit amerikan është shndërruar në një kauzë dypartiake. Herët a vonë, nën Trump apo një president tjetër, bota mund të përballet me një superfuqi që e vendos vazhdimisht “Amerikën të Parën”.
Në parim të gjitha vendet ndjekin interesat e tyre, por jo të gjitha i përcaktojnë në të njëjtën mënyrë ato. Koncepti i interesit kombëtar e ka vënë tradicionalisht theksin tek mbrojtja e territorit, popullsisë, pasurisë dhe ndikimit. Por që nga Lufta e Dytë Botërore, shumica e udhëheqësve dhe elitave amerikane, e kanë hedhur poshtë konceptin se SHBA-ja duhet të jetë një vend normal që vepron në mënyrë normale.
Tek fundit, lufta kishte treguar se si ritmet normale të çështjeve ndërkombëtare mund ta zhysnin njerëzimin në tmerre, madje edhe vetë SHBA-në. Në këtë mënyrë, ajo e diskreditoi lëvizjen origjinale “Amerika e Para”, që përbëhej nga kundërshtarët e ndërhyrjes së SHBA-së në Luftën e Dytë Botërore, dhe e bëri të qartë se vendi më i fuqishëm në botë, duhet të zgjeronte pikëpamjen e tij në raport me atë që kërkonin interesat e tij.
Projekti që doli nga kjo qasje ishte i pashembullt në shtrirjen e tij. Ai përfshinte krijimin e aleancave në mbarë globin dhe që mbronin vendet mijëra km larg, rindërtimin e vendeve të shkatërruara dhe krijimin e një ekonomie botërore të lulëzuar e të lirë, si dhe nxitjen e demokracisë në territoret e largëta.
“Shtetet e Bashkuara po marrin tani përgjegjësinë që synonte Zoti i Plotfuqishëm për mirëqenien e botës në brezat që do të vijnë “- deklaroi në vitin 1949 presidenti Harry Truman. Politikë-bërësit amerikanë, nuk dyshuan kurrë se vendi i tyre do të përfitonte nga të jetuarit në një botë më të shëndetshme.
Por krijimi i kësaj bote, kërkonte që Uashingtoni të llogariste çështjet e interesit vetjak në një mënyrë jashtëzakonisht të gjerë. Demokracia lulëzoi në Perëndim dhe rrezatoi edhe jashtë tij. Por amerikanët nuk u pajtua asnjëherë plotësisht me idenë se duhet ta ruanin këtë rend për një kohë të pacaktuar.
Me fillimin e Luftës së Ftohtë, diplomati amerikan George Kennan dyshonte se amerikanët ishin në lartësinë e duhur për të qenë udhëheqës të botës. Kur përfundoi ai konflikt, me një fitore mahnitëse të Perëndimit, ish-ambasadorja e SHBA-së në Kombet e Bashkuara Jeane Kirkpatrick shkroi se Shtetet e Bashkuara mund të bëheshin më në fund “një vend normal në një kohë normale”.
Dhe sot ka shenja se Uashingtoni nuk do të vazhdojë të sillet pafundësisht si “xhandarja e botës”. Tre presidentët e fundit amerikanë, kanë aspiruar që të gjithë të largohen nga Lindja e Mesme. Proteksionizmi është në rritje. Të dyja partitë kryesore, i përçmojnë marrëveshjet e mëdha tregtare që Uashingtoni i përdorte dikur për të çuar përpara ekonominë globale.