Kryeministri Rama ndodhet sot në qytetin e Kukësit, ku po prezanton kandidatët për deputetë të PS-së për këtë qark. Gjatë prezantimit ai ka folur dhe për aeroportin e Kukësit, duke thënë se është caktuar data kur do të ulet avioni i parë në këtë aeroport. Sikurse e ka bërë me dije më herët, në fluturimin e parë do të jenë demokratët në Londër që të vijnë të votojnë për PD në 25 prill.
Kreu i qeverisë tha se aeroportët janë fabrika buke. Duke iu përgjigjur skeptikëve, ai theksoi se shqiptarët nuk kanë vdekur për bukë, por aeroportet shërbejnë si qendra zhvillimi ekonomik.
“Qëllimi nuk është thjesht të fitojmë ndeshjen. Fitorja e një ndeshje elektorale është një mjet, për të ndryshuar më tej jetën e njerëzve. Kemi folur gjatë me Petritin për Tropojën, për punën që është bërë. Më vjen mirë që edhe Gerta është përfshirë në këtë skuadër, si një shembull domethënës i faktit që dashuria për vendlindjen, ambicia për të ndikuar për jetën e komunitetit, për plotësimin e nevojave të jetës së përditshme.
Trungu flet vetë për prejardhjen, për kontributet. Gerta si individ është person ambicioz, gruaja me kurajo dhe energji. Ka një element tjetër që në përzgjedhjen e saj, që hodhi hapin për t’u ofruar si pjesë e skuadrës, ka luajtur rol edhe vlerësimi i eksperiencës së saj në biznes, si menaxhere. Kuturistët thonë; ç’na duhen ne aeroportet, ne duam bukë. Por s’ka vdekur kush për bukë në Shqipëri, që nga koha e Skënderbeut.
Aeroportet janë fabrika buke, në sensin që sjellin konsumatorë pa fund dhe krijojnë kushte për të pasur mundësi ofertash të të gjitha natyrave për ta. Është fakt i njohur që një aeroport e ka kthimin e investimit në ekonomi 1 euro të shpenzuar dhe 23 të fituar. Aeroportet sjellin investimet”, tha ai.