Është mbajtur këtë të mërkurë mbledhja e Komitetit Teknik të Ekspertëve në lidhje me situatën e Covid-19.
Në fjalën e saj, mjekja Silva Bino tha se duhet të bëjnë vaksinën edhe ata që kanë kaluar infeksionin para një muaji. Sakaq shtoi se ende nuk dihet asgjë në lidhje me variantin BA5, si dhe qytetarët dihet të mos anashkalojnë vëmendjen e tyre në lidhje me rrezikshmërinë e madhe që ky virus ka.
“Vaksinimi është mjet i rëndësishëm në lidhje me parandalimin e formave të rënda, vdekjeve dhe shtrimeve në spital. Përqindja e vaksinimit ka rënë këtë javë, në krahasim me një javë më parë. Ndërkohë që vaksinimi me dozën e tretë ka shënuar një rritje të lehtë, por përsëri përqindja e vaksinimit ditor dhe javor mbetet e ulët, në krahasim me muajt paraardhës. Sot në qarkullim është varianti BA5, për të cilin nuk kemi të dhëna të qarta lidhur me format që ky variant shkakton, apo vdekjet që shkakton.
Kemi të dhëna të pakta edhe për transmetueshmërinë e këtij varianti. Deri tani ka transmetueshmëri të ngjashme me variantin BA2. Qytetarët duhet të bëjnë edhe dozën e tretë, të mos merren me diskutime “jo e kam kaluar”. Çdo person që ka kaluar një muaj nga kalimi i infeksionit, duhet të bëjë dozën e tretë. Nuk ka asnjë lloj diskutimi për këtë gjë”, tha Bino.