Përgjatë dy viteve 2020-2021 pandemia Covid-19 e ka cenuar rëndë shëndetin e popullatës dhe përmbysi gjithashtu edhe progresin që vendi ynë kishte bërë në drejtim të rritjes së jetëgjatësisë.
Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se jetëgjatësia në vitin 2021 arriti në 76.5 vite nga 79 vite që ishte në vitin 2019 para pandemisë. Nga viti 2019 në vitin 2021 jetëgjatësia e shqiptarëve është shkurtuar me 2.5 vite një nga normat më të larta në Europë.
Jetëgjatësia në lindje tregon numrin e viteve që një fëmijë i sapolindur pritet të jetojë. Në vitin 2021 jetëgjatësia e pritur u vlerësua 74,4 vjeç për meshkujt dhe 78,7 vjeç për femrat.
Jetëgjatësia në lindje ka ardhur përgjithësisht duke u rritur nga viti 2011 deri në vitin 2019, me gra që kanë prirje për të jetuar më gjatë, por jetëgjatësia në lindje ka shënuar ulje në vitet 2020-2021, e ndikuar nga rritja e numrit të vdekjeve prej efekteve të pandemisë Covid-19.
Femrat shqiptare të lindura në vitin 2021 pritet të jetojnë 4,3 vite më shumë sesa meshkujt shqiptarë të lindur në të njëjtin vit. Shqiptarët e viteve 1950 jetonin mesatarisht vetëm 54.4 vite sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, ndërsa që nga ajo kohë deri në vitin 2020, jetëgjatësia u rrit me 42%.
Të dhënat historike mbi jetëgjatësinë në 70 vitet e fundit, tregojnë se përmirësimi më i madh ndodhi në dy dekadat e 1950-1970, ky tregues u rrit me 18 vite ose 33%. Nga 54.4 vjeç më 1950 jetëgjatësia mesatare në vitin 1970 arriti në 72.3 vite. Që nga ajo kohë treguesi i jetëgjatësisë në vendin tonë është rritur me ritme të ulëta. Në vitin e parë të tranzicionit jetëgjatësia në vend ishte 75.4 vite dhe në vitin 2020 llogaritet në 77.3 vite me një përmirësim me rritje rreth dy vite.
Popullsia në Shqipëri ka ndryshuar gjatë 30 viteve të fundit. Kjo vjen, veçanërisht, për shkak të ndryshimeve në sistemin ekonomik, duke kaluar nga ekonomia e centralizuar në një sistem të tregut të hapur i cili ka dhënë efektin e tij në lindje, vdekje, migracion, dhe sigurisht ka një ndikim në të ardhmen e popullsisë shqiptare.
Statistikat e popullsisë dhe ato mbi jetëgjatësinë janë shumë të rëndësishme për planifikime të tjera. Është me rëndësi të dimë se sa banorë jetojnë aktualisht në vend dhe sa do të ketë në të ardhmen, në mënyrë që të mund të merren vendime më të mira në lidhje me ndërtimin e shkollave, spitaleve dhe rrugëve.
Është gjithashtu e rëndësishme të dihet sa e moshuar është dhe do të jetë popullsia në vitet në vazhdim, në mënyrë që të planifikohen, për shembull pensionet apo kujdesi shëndetësor./Monitor