Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi nga konferenca e prezantimit të programit të financuar nga Bashkimi Europian, “EU4LEA” për Zbatimin e Ligjit në Shqipëri, ka deklaruar se vendi ynë dhe BE po kalojnë në një etapë të rë të bashkëpunimit me agjencitë ligjzbatuese.
Po ashtu Çuçi theksoi se vendi ynë duhet të mësojë nga modelet më të mira të vendeve të BE-së.
“Pa ezauruar kapitullin 24, Shqipëria nuk mund të ecë me kapituj të tjerë. Ai merr një rëndësi të veçantë në etapën që ndodhemi. Në këtë moment vjen edhe etapa e re e bashkëpunimit midis BE dhe Shqipërisë në asistencën që sjell në agjencitë ligjzbatuese. Ne mund të mësojmë nga modelet më të mirë, jo vetëm ato europian por edhe të vendeve që rishtazi kanë aderuar në BE dhe kanë bërë një rrugë të ngjashme me Shqipërinë,” tha Çuçi.
Gjithashtu Çuçi në këtë konferencë ka komentuar edhe sulmin kibernetik nga Irani, ku ka theksuar se u vërtetua se vendi ynë nuk ta përballonte i vetëm.
“Të gjithë ndajmë të njëjtin opinion që sfidat në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit, janë shumë komplekse. Mjafton të përmendim situatën e pazakontë që po përballet sot Policia dhe agjenci të tjera të qeverisë me sulmin kibernetik. Nëse deri dje ka qenë lufta klasike e institucioneve ligjzbatuese për fenomene si krimi i organizuar, lufta kundër drogës dhe terrorizmit, për të cilat kemi krijuar stabilitet lidhur me bashkëpunimin me partnerët, tani po përballemi me luftra të reja siç është lufta kibernetike. Ky sulm na tregoi që asnjë vend nuk mund të përballojë i vetëm këto fenomene, e jo më një vend i vogël në zhvillim siç është Shqipëria”, tha Çuçi.