Ministri Brendshëm, Blendi Çuçi e ka cilësuar Reformën në Drejtësi si më të suksesshmen në Shqipëri.
Çuçi tha se është ngritur një strukturë për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ku sipas tij për herë të parë drejtësia është një pushtet i pavarur dhe po kryen funksionin për të cilin është krijuar.
Sakaq shtoi kjo reformë duhet parë si një mozaik të cilit duhet t’i largohesh pak për të parë se çfarë efektesh ka dhe si është ndërtuar deri në këtë moment.
“Askush nuk e ndalon Prokurorinë të hetojë. PS nuk i është bërë mburojë askujt deri më sot dhe nuk do t’i bëhet. Është një moment shumë i mirë që ne të bëjmë një bilanc të reformës më të rëndësishme të një shoqërisë siç është Reforma në Drejtësi. Është marrë me seriozitet që ditën e parë nga maxhoranca jonë, është mbështetur nga partnerët që na asistojnë në ngritjen e institucioneve dhe e kundërshtuar herë haptas, herë nën rrogoz nga eksponentë të opozitës. Reforma në Drejtësi, si më e madhja për një shoqëri duhet parë si një mozaik të cilit duhet t’i largohesh pak për të parë se çfarë efektesh ka dhe si është ndërtuar deri në këtë moment. Në një bilanc 5 vjeçar është një nga reformat me rezultatet më të jashtëzakonshme për Shqipërinë.
Për herë të parë të realizohet procesi i vettingut. Së dyti janë krijuar dhe janë tërësisht funksionale institucionet e reja, KLGJ, KLP, ILD dhe Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Është ngritur një strukturë për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Për herë të parë drejtësia është një pushtet i pavarur dhe po kryen funksionin për të cilin është krijuar. Besoj se ne e kemi fituar betejën me shqiptarët kur i premtuam një drejtësi të pavarur. Askujt nuk i shkonte ndërmend derisa ka filluar të funksionojë sistemi i ri i drejtësisë se kryetarë bashkish, ministra të partisë qeverisëse janë hetuar po hetohen dhe ka akoma për të bërë”.