Ish-deputetja dhe ish-ministrja e PS Arta Dade ka folur për përvojën e saj në politikë dhe se si Partia Socialiste po degradon ndër vite.
Si krizën më të madhe gjatë demokracisë Arta Dade cilësoi parlamentin e vitit’ 97, duke theksuar se kanë qenë kohë shumë të vështira pasoja e të cilave ndihen edhe sot.
Dade u shpreh e keqardhur që Partia Socialiste nga partia më moderne me Nanon kryetar, tashmë është kthyer në një parti me një frymë ku vendos kryetari. “Partia Socialiste me Fatos Nanon kryetar krijoi një të majtë moderne. Brenda partisë debati edhe për çështjet më të nxehta ishte pa asnjë lloj doreze. PS-ja, deri në kohën që kam qenë pjesë, ka qenë partia më moderne dhe më e demokratizuar brenda strukturave. Qe fryma e përgjithshme e Fatosit, madje edhe kur ishte në burg si i dënuar politik, por edhe koleget e tjerë që e drejtuan partinë kishin një mendësi ndryshe nga të gjitha partitë”.
Ikjen e Nanos e cilësoi një rast për t’u shënuar, pasi sipas Dades kushdo që humbet zgjedhjet duhet të largohet. “Besoj se ishte një ikje shumë e hershme, sepse ishte 53 vjeç, dhe kishte ende për t’i dhënë vendit, përtej rezervave që unë mund të kem për të”, tha ajo, duke shtuar se Nano kur dha dorëheqjen nuk mendoi ikjen e tij përfundimtare. “Fatosi kishte një version tjetër, ai mendonte se PS-ja mund të drejtohej me rotacion me 5-6 personalitete”.
E pyetur se cilat janë gjërat që nuk i falen PS-së, Dade tha: “Ka shumë gjëra, lufta kundër korrupsionit është shumë e zbehtë, njerëz me rekorde kriminale që u futën në Parlament, zgjedhja në mënyrë arbitrare e shumë kandidatëve etj”.
Dade theksoi se u largua nga PS-ja pasi nuk u përfshi në lista, pa asnjë arsye, thjesht sepse vendosi kryetari, Rama. “Unë u largova se nuk u përfshiva në listat e PS-së, nuk kemi një proces siç duhet të jetë, p.sh. nuk përfshihesh në lista kur i ke krijuar kosto partisë politike, nuk përfshihesh kur nuk të votojnë, që nuk është rasti im. Aty është krijuar një frymë e tillë. Sistemi elektoral që ne ndryshuam ishte i gabuar dhe unë mendoj që po nuk ndryshoi sistemi elektoral, politika do të vazhdojë të degradojë drejt autoritarizmit, pasi listat nuk kalojnë nëpërmjet një procesi, por vendos kryetari, kjo është për të gjitha partitë”.
Dade u shpreh e keqardhur për mospërfshirjen në lista, por kur pa se si degradoi parlamenti, mendon se ka ikur në kohën e duhur. “Mua më erdhi keq që nuk isha pjesë e listës, por kur pashë se si degradoi Parlamenti, me thënë të drejtën më duket se ika në kohën e duhur dhe jam marrë me gjëra të tjera. Të punosh për vendin nuk do të thotë vetëm të jesh në politikë”.
Ish-deputetja fajësoi opozitën që sipas saj ka bërë gabime të njëpasnjëshme, duke ia bërë shumë të lehtë rrugën Ramës, “Unë mendoj që opozitës nuk i falet që janë të përçarë dhe që ka bërë gafa njëra pas tjetrës, dhe ia kanë lënë komplet terrenin e lirë kryeministrit Edi Rama, që nga dorëzimi i mandateve, që nga mospjesëmarrja para 4 vitesh në zgjedhjet në lokale. Duke e lënë fushën të zbrazur sigurisht që luan ai që merr topin dhe kjo është shumë e dëmshme për Shqipërinë, është e dëmshme për demokracinë. Unë shpresoj që pas këtyre zgjedhjeve më së paku, së pari opozita duhet të fillojë një proces. Dua t’i shikoj të bashkuar, por ai që kanë vendosur në krye nuk do t’i çojë gjëkundi, ka persona të tjerë të cilët mund të jenë në krye”.
E pyetur nëse do të rikthehet në politikë, Dade tha: “Kurrë mos thuaj kurrë”, teksa shtoi se mendon se kontributin mund ta japë edhe jashtë strukturave partiake, pasi sipas saj edhe debatet televizive janë bërë të lodhshme dhe jo në atë nivel që ajo do të dëshironte.News 24