Alarmi për një bombë në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës, që ka ardhur përmes postës elekronike nga një burim i paidentifikuar, rezulton të jetë i rremë.
Policia e Kosovës ka dhënë më shumë detaje rreth ngjarjes që shqëtësoi UP-në.
Për gazetën Express, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci ka thënë se janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për menaxhimin e mjeteve shpërthyes.
“Pas ndërmarrjes së të gjitha veprimeve të nevojshme operative si dhe kontrollit të detajuar të hapësirës së caktuar nga ana e njësive të specializuara për menaxhimin me mjetet shpërthyese, informata – alarmi ka rezultuar të jetë i rrejshëm”, ka konfirmuar ai për Gazetën Express.
Gazeta Demokracia ka publikuar edhe e-mailin kërcënues që vinte nga adresa [email protected], ku në gjuhën angleze thuhej “Bomba në Hasan Prishtina do të shpërthejë tani”. E-maili kërcënues kishte arritur në adresën [email protected] në ora 13:45.
Rektori i UP-së, Naser Sahiti, për mediat ka folur shkurt lidhur me rastin.
“Administrata (e Universitetit) e ka pranuar një e-mail anonim për një bombë, prandaj policia e kanë rrethuar objektin”, ka thënë ai. /GazetaExpress/