Përgjigja e analizave të ujit që përmban ujësjellësi i Krujës ka konkluduar edhe shkakun e helmimit të qindra banorëve në qytet. Nëndrejtori i ISHP, Dritan Ulqinaku e cilësoi sot situatën shëndetësore të banorëve në Krujë, një epidemi të shkaktuar nga uji si rezultat i ndotjes së ujërave sipërfaqësore të shirave të rëna para pak ditësh.
Sipas tij, kjo gjë ka bërë interpretimin me ujërat e pijshëm të ujësjellësit të Krujës. Në një deklaratë për mediat Ulqinaku tha se nga analizat e marra nga Instituti i Shëndetit Publik ka rezultuar që në një pikë vetëm të ujësjellësit të Krujës ka rezultuar bakteri enterokok i cili mendohet që mund të jetë shkaktari i këtyre shqetësimeve gastrointersinale të banorëve.
“Më lejoni t’ju konfirmoj në emër të Institutit të Shëndetit Publik i cili ka ndjekur nga afër situatën epidemiologjike të shkaktuar në Krujë, situatë e cila solli një numër të lartë personash të cilët kishin çrregullime gastrointersinale. Situatë e cila do të vazhdojë të ndiqet me rigorozitet edhe në ditët e ardhshme.
Nga analizat e marra nga Instituti i Shëndetit Publik ka rezultuar që në një pikë vetëm të ujësjellësit të Krujës ka rezultuar bakteri enterokok i cili mendohet që mund të jetë shkaktari i këtyre shqetësimeve gastrointersinale që qytetarët e Krujës kanë pasur.
Nga ana tjetër më lejoni t’ju them se situata sot që ne flasim është shumë e qetë. Pothuajse ka mbaruar çdo shqetësim në qendrën shëndetësore dhe në spitalin e Krujës. Do të vazhdojmë ta ndjekim me rigorozitet.
Mendojmë që është një epidemi e shkaktuar nga uji si rezultat i ndotjes së ujërave sipërfaqësore të shirave të rëna para pak ditësh dhe që kanë bërë interseptimin me ujërat e pijshëm të ujësjellësit të Krujës. Këto janë rezultatet zyrtare”, deklaroi Ulqinaku.