Rrahman Sela, i cili do të ishte objektivi i radhës nga Dan Hutra ka rrëfyer për emisionin “Gjërat Tona” në Abc News se nuk ka asnjë lidhje me akuzat që ka ngritur ndaj tij. Pasi ekzekutoi tre gra dhe plagosi tre të tjera pak ditë më parë në Tiranë, 40 vjeçari Hutra synonte edhe vrasjen e Selës në Sharrë.
Hutra akuzonte Selën se i kishte dhënë armën personit që i kishte vrarë të atin. Por, Sela është shprehur se nuk ka asnjë lidhje me akuzat e bëra dhe se i ka duart e pastra.
Si jeni njohur me Hutrën?
Unë e njoh që në Durrës ku kemi qenë banorë. Kur kemi ikur, nuk kam pasur asnjë lloj lidhje me të. Njihesha para 24 vitesh. Shkova nga Kruma në Durrës.
Ai ju akuzon se keni dhënë armën e krimit në vrasjen që i është bërë babait të tij.
Asnjë lloj lidhje nuk ka me mua. Prokuroria e Durrësit edhe e Tiranës e dinë këtë. Edhe KFOR ka qenë në atë kohë, ka ardhur edhe ka bërë kontrolle dhe nuk ka gjetur asgjë tek shtëpia ime. Kanë qenë marrëdhënie të shtëpisë së vet dhe nuk jam marrë me këtë punë. I është tiposur në mendje. Edhe ai jeton në Sharrë.
Ai e ka ditur se ku kam qenë por nuk ka asnjë të keqe nga unë. Nuk e njihja. Ta kisha parë në rrugë nuk do ta njihja. Ai ka deklaruar kot. Kur ka hyrë në lagje nuk ka njohur asnjë njeri tjetër. Vetëm mua më ka njohur. Ka pasur probleme të tjera. Nuk është marrë fare me neve. Nuk kam pasur kurrë kërcënime.
Vetëm kur e kam parë mbrëmë për këtë problem. Nuk jam i frikësuar se nuk kam bërë asgjë të keqe. I kam duart e pastra. Më erdhi keq sepse akuza është më e keqe se çdo gjë. Nuk kam qenë kurrë në polici sepse nuk kam bërë asnjë gabim.