Sipas njoftimit zyrtar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, mësohet se autori i disa vrasjeve Dan Hutra ka tentuar arratisjen nga qelia në Fier. Bëhet me dije se plani për arratisjen nga burgu ishte marrë në bashkëpunim me 3 të paraburgosur të tjerë, përkatësisht Martin Kapllani, Geraldo Veizi dhe Feti Kovaçi. Bazuar në njoftimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, mësohet se të burgosurit kishin nisur prerjen e zgarës së dritares me mjete te improvizuara, ndërsa në dhomën e Dan Hutrës u gjendën një çarçaf i përshtatur si litar dhe mjetë të tjera presëse.
Kujtojmë se Hutra u arrestua më 1 mars të vitit të kaluar, pasi kreu masakrën e trefishtë në kryeqytet. Ai ekzekutoi 3 gra dhe plagosi 3 të tjera në zona të ndryshme të Tiranës.
40-vjeçari nuk ishte një emër i panjohur për policinë. Përpara masakrës së 1 marsit, ku mes viktimave ishte dhe ish bashkëjetuesja e tij, ai ishte dënuar për një ngjarje të vitit 2007. Konkretisht të vrasjes së bashkëshortes së tij, ngjarje kjo e ndodhur në qytetin e Kukësit. Për të gjitha këto ngjarje vetë Hutra nuk ka shfaqur pendesë, madje ka deklaruar se i ka bërë me vetëdije.