Dalina Buzi do të jetë pjesë e jurisë së “Dancing With The Stars” ndërsa Megi Pojani do të jetë konkurente. Mirëpo çfarë pritet me padurim është si do të jetë raporti i tyre në këtë program. Marrëdhënia midis Buzit dhe Pojanit u “kris” disa kohë më parë dhe shkak për këtë ishte puna.
Vajzat për një kohë të gjatë nuk kanë folur me njëra-tjetrën, ndërsa pas ‘përballjes’ së tyre të parë në emisionin “Goca dhe Gra” akoma kanë një marrëdhënie të ftohtë. Show i kërcimit do t’i vendosë sërish përballë, dy ish-bashkëpunëtoret mirëpo jo në pozita të njëjta. Dalina ‘do ta ketë në dorë’ Megin me gjykimet e saj dhe pikërisht kjo situatë pritet me padurim nga ndjekësit.
Së fundmi, e pyetur në emisionin “Goca dhe Gra” nëse pozicioni i saj do të ndikojë për mirë ose keq tek komentimi i performancës së aktores, producentja tregoi se ajo më mirë se kushdo e di që kjo nuk ka të bëjë fare.
“Pikërisht se është Megi dhe absolutisht që në momentin që është Megi mund të mendojnë konkurentët e tjerë, se Megi ka punuar me mua kemi ndenjur çdo ditë që aty mund të mendohet dhe mund të presin që unë ta favorizoj. Por unë e thashë, Megi e para e di që nuk ma ndjen fare në këtë pikë. Kush të jetë shumë i mirë atje, do të jetë shumë i mirë,”-u shpreh Dalina.
Ndërsa ju kujtojmë që më herët Dalina ka treguar se e gjithë mosmarrëveshja me Megin ka ndodhur nën kontekstin e punës, dhe asgjë personale mes tyre.
“Ishin 5 vajza në serial, ngelën dy deri. Ajo u ndalua aty, ndërpremë marrëdhëniet me të pesta vajzat, ishte shokuese për ndjekësit. Nuk folëm. Që atëherë nuk komunikuam më. Ishte një gjë private biznesi kompanie, ishte një gjë teknike dhe nuk i takojnë fare t’i dijnë njerëzit. Kjo ishte domethënë”,- sqaroi Buzi.
Ndërsa Megi Pojani gjithashtu pranoi se largimi i saj nga ‘Anabel’ ishte i nxituar. “Ajo gjëja po ezaurohej për mua, ne po e bënim për të tretin vit dhe kjo ishte arsyeja, mendoja se jam nxituar për mënyrën e largimit, ndoshta nga mosha”,-përfundoi Megi.