Në një reagim të bërë nga Departamenti Amerikan i Shtetit lidhur me veprimet e forcave speciale të Kosovës për të futur kryetarët e zgjedhur në ndërtesat komunale, thuhet se ky do të ketë pasoja në marrëdhëniet SHBA-Kosovë.
Më tej, theksohet se këto veprime kanë përshkallëzuar tensionet në mënyrë të panevojshme dhe i bëhet thirrje Albin Kurtit që të ndryshojë të gjithë kursin e tij të politikave dhe që të gjitha palët të përmbahen nga çdo veprim që mund të ndezë tensionet dhe të nxisë konflikt në rajon.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënojnë ashpër veprimet e Qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës, veprime që ajo ndërmori kundër këshillave të Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë të Kosovës. Këto veprime kanë përshkallëzuar në mënyrë të ashpër dhe të panevojshme tensionet, duke minuar përpjekjet tona për të ndihmuar në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do të kenë pasoja për marrëdhëniet tona dypalëshe me Kosovën. I bëjmë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të ndryshojë kursin dhe të gjitha palët të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm që do të ndezë tensionet dhe do të nxisë konfliktin”, thuhet në reagim.