Dy deputetë të Parlamentit të Shqipërisë, të dy nga radhët e të majtës, do të shpallen së shpejti si persona non grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH), duke iu shtuar një liste personalitetesh tashmë në listën e zezë të amerikanëve.
Burime konfidenciale të Albanian Post e kanë zbuluar edhe identitetin e dy deputetëve. Por për arsye sigurie, redaksia ka vendosur të mos e zbardhë vendimin e plotë të SHBA-ve në këtë çast.
Vendim ky, i cili vjen vetëm pak ditë pas paralajmërimit të zëvendësndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, i cili më 25 shtator, në një intervistë për Zërin e Amerikës, e vuri theksin mbi faktin se përcaktime të tjera do të ketë së shpejti në Ballkan, përfshi Shqipërinë.
Sipas tij, kompetencat amerikane me shpallje të tilla do të përdoren për të luftuar korrupsionin në nivele zyrtarësh të lartë. I fundit në “rrjetën amerikane” ishte ish-kryeministri dhe kreu historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili më 19 maj 2021 u përcaktua nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, si persona non grata.
Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim, ka qenë po ashtu një zë i fortë në qartësimin se misioni i amerikanëve për të ulur korrupsionin në Shqipëri, nuk do të ndalet.
Vendimi i papëlqyeshmërisë
Më 15 shkurt 2018, ish-kryeprokurorit të Shqipërisë, Adriatik Llalla, iu ndalua zyrtarisht hyrja në SHBA pas një njoftimi të bërë publik nga ish-Sekretari amerikan i Shtetit në administratën e Donald Trump, Rex Tillerson. Akuzat amerikane që rëndonin mbi Llallën, ishin ato të korrupsionit ose shkeljeve të mëdha të të drejtave të njeriut.
Ky ishte edhe vendimi i parë i rëndësishëm i amerikanëve pas fillimit të Reformës në Drejtësi në Shqipëri. Vendim, i cili u pasua nga një tjetër, më 16 prill 2018. I akuzuar prej kohësh nga opozita për afera korruptive, DASH-i e përcaktoi ish-deputetin e Parlamentit të Shqipërisë, Tom Doshi, si non grata. Kështu, atij dhe familjes së tij iu ndalua hyrja në SHBA.
Më 30 korrik 2019, listës së zezë amerikane do t’i shtohej një tjetër emër, po nga e majta. Ish-kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, u përcaktua si non grata. Neni 7031(c) e futi edhe atë në thesin e zyrtarëve të lartë shqiptarë, të cilët janë të papëlqyeshëm për Amerikën. Pas një qetësie dyvjeçare, rasti “Berisha” ishte ai i cili shkundi themelet e politikës dhe shoqërisë shqiptare.
Kjo, edhe pasi ai ishte emri më i madh i politikës, ndaj të cilit ishte marrë një masë e tillë nga Washington-i. Radhën e kanë dy të tjerë, në një sagë që duket se nuk do të shohë dorëzimin amerikan. Të paktën, jo deri në çastin kur gjithçka të bëhet konform zbatimit të ligjit.
/Burimi: Albanianpost.com/