Departamenti amerikan i Shtetit publikoi raportin vjetor për terrorizmin në botë, thelbi i të cilit është se gjatë vitit 2020, Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre shënuan përparime të mëdha e të rëndësishme kundër organizatave terroriste, por, kërcënimi nga terrorizmi është bërë më i shpërndarë gjeografikisht në rajone anembanë botës.
Kërcënimi nga terrorizmi në Shqipëri përfshin luftëtarët e huaj që kthehen nga Iraku dhe Siria dhe përpjekjet e simpatizantëve të ISIS-it për të radikalizuar të rinjtë shqiptarë, si dhe aktiviteti i sponsorizuar nga Irani drejtuar kryesisht kundër grupit opozitar iranian Mujahedeen-e-Khalq (MEK), pjesëtarët e të cilit janë të strehuar në Shqipëri.
Nuk ka pasur asnjë incident terrorist të raportuar në Shqipëri në vitin 2020, thuhet në raport.
Shqipëria, theksohet me tej, përndjek aktet terroriste, duke përfshirë financimin e terrorizmit, kryerjen e transaksioneve me persona në listat e të sanksionuarve nga Kombet e Bashkuara, rekrutimin dhe trajnimin e njerëzve për të kryer akte terroriste, nxitjen e akteve terroriste dhe ngritjen, drejtimin dhe pjesëmarrjen në organizata terroriste ose konflikte të armatosura jashtë vendit.
Raporti vëren bashkëpunimin e ngushtë të Njësisë së Policisë së shtetit Kundër Terrorizmit dhe përfshirjen e tij në operacione të suksesshme për kapjen e terroristëve ose të dyshuarve për terrorizëm, ndërsa nënvizon se vitin e kaluar, Shqipëria filloi zbatimin e një regjimi më të rreptë të burgjeve për të dënuarit e rrezikshëm, përfshirë edhe për një të dënuar për rekrutim me qëllim terrorizmi.
/Burimi: TCH/