Departamenti i Shtetit të SHBA-së ka thënë se pret nga Kosova dhe Serbia të përmbushen marrëveshjet e mëparshme të dala nga dialogu, përfshirë edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në një përgjigje me shkrim për “Zërin e Amerikës”, nga DASH-i është thënë se fokusi është të zbatohen marrëveshjet për normalizim të marrëdhënbieve.
“Fokusi ynë është në zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, në mënyrë që t’i ndihmojmë ato të zhvillojnë marrëdhënie paqësore, të parashikueshme si fqinjë, të cilat do të mundësojnë stabilitet, siguri dhe prosperitet më të madh në rajon. SHBA-ja dhe BE-ja presin nga dyja palët të përmbushin marrëvshjet e mëparshme të dala nga dialogu, përfshirë edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Këtë e konfirmuan edhe dy liderët në takimin e 18 marsit në Ohër”, thuhet në përgjigjen e DASH-it.
Të martën është formuar Komiteti i përbashkët monitorues, që do të mbikëçyrë zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.
“Komiteti i përbashkët monitorues do të kryesohet nga përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Beograd – Prishtinë, Miroslav Lajçak. Kosova do të përfaqësohet nga ambasadori i saj në Bruksel, Agron Bajrami, ndërsa Serbia do të përfaqësohet nga kryenegociatori Petar Petkoviq”, thuhet në njoftimin e BE-së.
Takimi i radhës i nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të zhvillohet më 2 maj.