Kreu i Bashkisë së Fier, Armando Subashi i ka dorëzuar titullin “Nderi i Bashkisë Fier”shkrimtarit me famë botërore Ismail Kadare.
Në fjalën e tij përshëndetëse Ismail Kadare është shprehur i kënaqur dhe shumë i vlerësuar nga ky gjest i Bashkisë Fier dhe mikpritja fierake.
“Zoti kryetar i Bashkisë, të dashur qytetarë të Fierit, do t’ju them dy fjalë shumë të përdorura dhe që tingëllojnë ndoshta banale. Jam i lumtur që jam midis jush. Besojeni se për shkrimtarin, dashuria dhe mirëkuptimi i lexuesve është gjithmonë i shtrenjtë, shumë i shtrenjtë. Ndaj ju falënderoj nga zemra për këtë pritje, kaq të bukur, kaq të ngrohtë dhe kaq njerëzore dhe kaq shqiptare. Ju lumtë! Ju lumtë të gjithëve!”, tha Kadare.
Ceremonia e vlerësimit u organizua në formën e një konference ku referuan emra të shquar të letrave dhe kritikës shqipe si: akademiku Ali Aliu, Prof.Dr. Sadik Bejko, Prof.Dr. Klara Kodra, botuesi Bujar Hudhri etj.
/Priza.al/