“Dashuritë e ‘Rrugës së Durrësit’, nga vajza e zv/ministrit me futbollistin e ‘Tiranës’, te bukuroshja që mbanin frymën të gjithë”/ Historia e panjohur e një rruge emblemë që…!

Qëndrimi te Bar-Kafe “Flora” dhe frekuentimi i Rrugës së Durrësit erdhi pas viteve ’70-të, kur situata politike në Shqipëri, sidomos në fillim të 1973 – it u rëndua. Largimi nga “Broduej” dhe vërshimi në mbrëmje në atë zonë në qendër të Tiranës, me pikë referimi ëmbëltore “Florën”, erdhi në mënyrë spontane për t’u kthyer në domosdoshmëri me kalimin e kohës. Së pari, nga banorët e pallateve përreth, për të vijuar me gjimnazistët e “Sami Frashërit”, “Qemal Stafës” e Politeknikumit, të cilët kryqëzoheshin në drekë, por edhe në mbrëmje, me qëndrime në grupe miqësie në dy krahët e “Florës” ku bisedohej, diskutohej për gjithçka përfshirë çdo informacion sportiv, artistik, pak politikë lidhur me jetën dhe evenimentet e ditës, javës në vend e jashtë kufijve.

‘Rruga e Durrësit’ ishte e shquar edhe për vajzat e bukura. E zbukuronin rrugën edhe më shumë N. Xhai, T. Buxheli, motrat Progri, tri shoqet E. Gjylbegu, A. Omari, L. Siliqi, binjaket Veronika e Ludmilla, që kanë luajtur edhe si aktore në filmin “Zonja nga Qyteti”.

Pastaj bukuroshja Lida, Shpresa valltarja e Ansamblit, J. Nase, V. Biba, duke e lënë për në fund G. Herrin, që kur dilte nga tuneli për në ‘Rrugën e Durrësit’, të gjithë mbanin frymën për ta parë për nga bukuria. Edhe çifti modern që dallohej për elegancë në veshje, A. Rasku me M. Uçin, tërhiqnin vëmendjen.

Mjekët dhe mësuesit historikë

Janë shumë: Nga Dr. Ilir Gjylbegu, Dr. Anila Gode, Dr. Emil Cimbi Dr/ Selaudin Bekteshi, Dr. Theollosi. Dr. Ilir Ohri, Dr. Jorgji Koja, Dr. Gazmend Velçani, Dr. Ferdi Konomi, Dr. Petrit Gaçe, Dr. Nikolla Shurbani, Dr. E. Gjermani, Dr. Ylli Popa, Dr. F. Konini me gruan austriake Paola.

Pastaj mësuesit Z. Xhajanka e letërsisë, Sar Çakmaxhian i kimisë, A. Karagjozi dhe mësuese Tana të anglishtes, L. Naçe e matematikës tek A. Rustemi, i fizkulturës M. Tukseferi, prof. Gjergj Canco, Llazar Xhajanka etj.

Aktorë, piktorë e skulptorë, “Via del Artisti”

Do të ishte më se normale që të njihej si “Rruga e Artistëve”, pasi e tillë ka qenë. Në të jetonin aktorët Sulejma Pitarka, Besa Imami, Kadri Roshi, Luiza Varfi, Margarita e Shkëlqim Xhepa Qenan Toro, Andrea Pano, A. Imami, A. Kura, Drita e Hysen Pelingu, Violeta Manushi, Piro Milkani, Viktor Gjika, familja Sallaku, Vitore e Skënder, ajo e kineastëve Xhanfise dhe Endri Keko, operatorët e TVSH-së: Arben Çeku e Fred Leli, vëllezërit Pandi e Bled Laço, regjisori Aartan Minarolli, dirigjenti Rifat Teqja, Thimi Nika, familja Zela, Vaçe e Hysni, muzikologu Ramadan Sokoli, kompozitorët Nikoll Zoraqi, Pjetër Gaci me gruan ruse Tamara; tenori Gjoni Athanas me Sakinenë, gruan e tij balerinë; familja Çako me Gaqon e Luiza Papën, familja e muzikantit Topi, oboisti Viktor Shiroka; këngëtarët Xhavit Xhepa, Fitnete Rexha, pianistja Bebi Kristidhi, muzikologu E. Dheri; skulptorët Odhise Paskali e Dhimitër Çani, piktorët Kel Kodheli, Foto Stamo etj.

Edhe Ali Zotria ing-kimist, në katin e gjashtë sipër “Florës” ka banuar. E dënuan pasi ishte martuar me Jezminën, gruan çeke, me të cilën pas ‘90-ës u largua e jetojnë në Çeki. Në një apartament në katin e katërt, te pallati pas Ambasadës Kubaneze, ka banuar ing-kimist, Agim Shehu, që kishte sjellë nga Rusia një televizor, në të cilin të gjithë grumbulloheshin për të parë.

Shkrimtarë dhe studiues

Në Rrugën e Durrësit jetonin edhe familja e shkencëtarit Petro Zheji me Verën e Arturin, shkrimtarët Nasho Jorgaqi, Andrea Varfi, Sotir Papuli, Fatmir Gjata, Qamil Buxheli, Dhimitër Xhuvani, Andrea Varfi, Teodor Laço, Llazar Siliqi, Vangjeli e Spiro Çomorra, përkthyesit e njohur Sami Leka e Niko Gjini, gazetari Kastriot Ahmati, fotografi i ATSH-së Pipi Naçe, profesorët e akademikët: Alfred Uçi, Aaleks Buda, Bedri Dedja, Shaban Demiraj, Fatos e Luan Omari, Kol Paparisto, studiuesit Spiro Xhai e Sotir Kuneshka, Mane Nishova, njeriu i kohës në TVSH-së, Petrit Leka, ambasadorët Piro Koçi e Fatmir Kumbaro, inxhinieri i ndërtimit H. Rama, Maqo Bleta, si dhe Lluka, djali me syze që e thërrisnin “filozofi”.

“Play boy” – it e saj

Nuk ka pasur kuptim ajo rrugë pa disa personazhe mitikë të saj. Gen Nika, djali modern, problematik për sistemin, gjithmonë një hap para në modë, shije e pasione. Shumë të veçantë, simpatikë, vitalë, kanë qenë Gen Dalta e Kokushta.

Ylli Koçi, gjithashtu i gjatë, elegant, vishej bukur, kur dilte tërhiqte vëmendjen bashkë me vëllanë Fati, e dy motrat. Pastaj Kirov Andoni, protagonist absolut e autentik i ‘Rrugës së Durrësit’, kitarist, këngëtar, si dy pika uji me francezin Charl Aznavour, i preferuar në mbrëmjet e gjimnazeve, kryesisht të “Qemal Stafës”.

Kirovi ndërtoi edhe një pishinë të vogël personale në tarracën e Pallatit të Oficerëve ku banonte, çka u bë problem për lagjen. Ndërsa qëndrimi te “Flora”, është i lidhur me djem, pa të cilët nuk mund të shkruhet historia e saj. Nga B. Çaushi (Xuxi), G. Estrefi, I. Elini, T. Gjoka, A. Ruço, K. Hysenaj, E. Deliallisi, Perikli Dhales, Skënder Hyka, B. Hyka A. Nurishmi, Gog Halili, B. Tabaku, Sh. Ndroqi, vëllezërit Besnik e Agim Hado etj.

Shumë enigmatik ka qenë Mihal Kosova, që kishte studiuar për Letërsi në Athinë, por për shkak të biografisë, punonte si bojaxhi. Paradite shërbente në shtëpitë e banesat duke lyer, në mbrëmje te “Flora” shfaqej ndryshe, i veshur mirë, dhe me humor.

Grupi “QEMAL-STAFAS” I “Besnikëve” dhe i “SAMI FRASHËRIT”

“Flora” ka qenë në sintoni me disa individë e grupe: vëllezërit Mir e Ilir Dashin, Shan Vorfin, Tor Ickën, Sh. Xhepën, A. Bajkon, Dor Kekon, A. Sejkon, F. Hanxhaku, P. Becin, A. Dumën, Bes Vilën, Z. Birçen, B. Gajtanin, Jan Kasneci, S. Vukaj etj., si dhe vëllezërit Zotria, Gux e Bujar Sevrani, Rrok e N. Dionisi, Geg e Lek Kodheli.

Pastaj tre shokët A. Obdari, A. Kubati, L. Tasellari, tre simpatikët T. Anamali, B. Shehu e P. Seiti, muskëtierët Dhimitër, Dëfrim e Genc, banues te pallati i “Hotel Pensionit”, me të përhershmin Ruke dhe “Stive Rivesin” – Niku, tatuazhistin e parë shqiptar.

Tjetër grup ishte ai me nxënës të “Sami Frashëri”: A. Sallaku, Mir Prifti, M. Ostreni, M. Barbullushi, M. Çoçoli, A. Shehi, B. Lame, T. Kosta, K. Andoni, B. Plaku, Tit Nallbani, H. Topi, K. Paçrami, B. Mema, Nik Alimehmeti, F. Çoçoli, A. Alimehmeti. etj, pa harruar Ilir Demaliajn, “Syçin” e famshëm banues te pallati sipër Arkës së Kursimit te kryqëzimi i parë. Të gjithë djem “besnikë” të “Florës” e “Derrit”, “polikumas”, “qemalstafas”, e të “Samiut”, çdo mbrëmje i gjeje aty, pa munguar asnjëherë.

Dashuri me gjimnazistet pas “Figalit”

Ka qenë një rrugë e frekuentuar shumë edhe nga futbollistët e “Shkëndisë” që pas shkollës, stërvitjes, i gjeje të grumbulluar të “Figali”, kinkaleria e vogël në kryqëzimin e tretë, që mori emrin e shitëses. Nga Sul Starova, Dash Bajaziti, Arjan Bakiri, A. Toqi, Vasil Bifsha, Il Metani, Ilir Luarasi, apo K. Andoni, N. Topi, G. Maluçi, G. Shahu, Jar Battisti të gjithë prisnin të dilnin vajzat e gjimnazit duke u kryqëzuar, takuar pas “Figalit”.

Shumë dashuri, njohje, e kanë aty zanafillën, madje disa prej futbollistëve të “Shkëndisë” janë martuar pikërisht me vajzat e “Qemal Stafës” e Politeknikumit.

Sportistët

Nga futbollisti Aristidh Parapani, kampion i Ballkanit i ‘46-ës, te familja e F. e Mustafa Çelkupa, atletët Shaban Lundra, Dhimitër Stratobërdha, Liljana Karanxha, Dh. Dhjaku, I. Gusho, A. Papuli, Viron Bezhani (ish-President i KOKSH-it), futbollistët Riza Icka, B. Keno, S. Sinani, A. Nurishmi, Gud Tafaj, familja sportive Tomorri me Ylli, Luan e Gencin; shahisti Ilir Karkanaqe; basketbollistët S. Boshnjaku, V. Dalta, Sandër Dheri, A. Demiri, volejbollistët S. Vokopola, R. Gjerazi, S. Hanxhaku, boksieri Ahmet Golemi, B. Isaku, kampioni mundjes Ndriçim Spahiu, Nuzi, me trupin e bukur, janë disa që e kanë lënë gjurmë në Rrugën e Durrësit. Edhe Konvikti (pas Hotel ‘Pensioni’-t), fillimisht me vajzat e Liceut e më pas për sportistët e ILKF “Vojo Kushi”, i kanë dhënë gjallëri rrugës.

Pa harruar ndeshjet në Pallatin e Sportit: tre blloqet me policë që kontrollonin bileta kur fluksi ishte i madh, pastaj fundi i takimeve kur tifozë, miq e shokë prisnin sportistët e të shoqëruar ktheheshin bashkë përgjatë Rrugës së Durrësit, në trotuarin nga e djathta.

Çfarë ke mbetur sot…?

Nuk është gastronomi, as dyqani i Gazhelëve, as “Parfumeria”, as “Derri”, as “Malev”, as Trikotazhi. Nuk ka gjurmë as “Demneri”, dyqani i biçikletave, as gjykata, as berberi as ai këpucë me porosi, si dhe hotel “Pensioni”.

E më kryesorja, “Flora”, është reduktuar në një lokal të vogël me emrin “Kafe-Flora”. Ndërkohë, mjaft personazhe nuk jetojnë si dhe të tjerë që janë zhvendosur, ndërsa ata që i dhanë jetë janë familjarë.

Ai korridor aq popullor tashmë nuk ka më frekuentimin viteve ’70-të, pasi është kthyer në një rrugë normale, pa delegacione e njerëz që i prisnin me lule, i mungon zhurma, vitaliteti që i dha bujë e shkëlqimin në vitet e kulmit të saj.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *