SPAK ka nisur verifikimet për nxjerrjen e të dhënave personale të përdorura nga PS, për zgjedhjet e 25 prillit. Mësohet se janë duke u verifikuar nëse databaza është vënë në funksion të fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit.
Hetimi mori shkas pas publikimit në media të të dhënave të E-Albania për qytetarët, që ishin në databazën e Partisë Socialiste. Kreu i SPAK, Arben Kraja theksoi se po bëhen verifikime. “Po bëjmë verifikime, por nuk ka ende denoncime”, tha ai.
Partia Demokratike reagoi dje, duke bërë me dije se do ta ndjekë ligjërisht këtë çështje. Hetimet pritet të konfirmojnë nëse këto të dhëna janë marrë nga platforma qeveritare, apo janë të vetë Partisë Socialiste.