Legalizimi i kanabisit në shumë vende ka ngjallur diskutime të nxehta. Nga njëra anë përdoruesit e kanabisit kanë më shumë orgazma, por edhe psikoza. Nga ana tjetër kanabisi duket se të mbron edhe nga kovidi.
Sipas një ankete globale për drogat në vitin 2021, kanabisi është droga e dytë më e përdorur në mbarë botën, pas alkoolit dhe përpara duhanit. Adoleshentët dhe të rinjtë e përdorin më shpesh kanabisin.
Kanabisi konsiderohej dikur si një drogë e rrezikshme, si porta për fillimin e konsumit të drogave. Kurse vitet e fundit kanabisi po pranohet publikisht gjithnjë e më shumë dhe përdorimi i tij po bëhet i ligjshëm në gjithnjë e më shumë vende. Ndoshta së shpejti edhe në Gjermani.
Seks dhe orgazma më të mira
Sipas një studimi të Universitetit të Almerias në Spanjë përdoruesit e marihuanës kanë më shumë seks dhe orgazma më të mira. “Ky përmirësim lidhet zakonisht me reduktimin e ankthit dhe turpit, gjë që i bën marrëdhëniet seksuale më të lehta”, thuhet në studim.
Nga konsumimi i alkoolit apo kanabisit njerëzit shpengohen dhe bëjnë seks më të mirë.
Mbrojtje prej kovidit
Kurse javën e kaluar studiuesit amerikanë të Universitetit Shtetëror të Oregonit thanë se kanabinoidët mund të parandalojnë COVID-19 dhe përdoren për trajtimin e kësaj sëmundjeje, sepse ato bllokojnë virusin që të hyjë në qelizë dhe kështu mbrojnë kundër infeksionit me virusin korona.
Studimi i tyre tregon se acidet CBGA (acidi kanabigerolik) dhe CBDA (acidi kanabidiolik) lidhin proteinat e Covid-19 dhe parandalojnë hyrjen e SARS-CoV-2 në qeliza, shkruajnë studiuesit në Journal of Natural Products. Në ndryshim nga tetrahidrokanabinoli i mirënjohur (THC) në kanabis, CBGA dhe CBDA nuk janë psiko-aktive.
Studiuesit nuk i kryen eksperimentet tek njerëzit, por në kultura qelizash në laborator. Dhe deri tani kanë provuar vetëm variantet alfa dhe beta të virusit korona, megjithatë studiuesit janë optimistë se kanabinoidet janë gjithashtu efektive kundër varianteve të tjera.
Kanabisi shkakton probleme afatgjata me përqendrimin
Por përdorimi i kanabisit mund të çojë edhe në dëmtime afatgjata kogjitive, veçanërisht tek të rinjtë, truri i të cilëve është ende në zhvillim. Truri i përparmë piqet plotësisht vetëm nga mesi i moshës 20-vjeçare. Dëmet mund të shkaktohet, sepse korja cerebrale e përdoruesve të rinj të kanabisit është dukshëm më e hollë në zona të caktuara, sesa në moshat e tjera.
Rrezik i shtuar për psikoza
Konsumimi intensiv i kanabisit mund të shkaktojë psikoza, veçanërisht tek adoleshentët. Ata që pinë kanabis çdo ditë kanë tri herë më shumë gjasa të kenë episode psikotike në krahasim me njerëzit që nuk kanë përdorur kurrë kanabis, sipas një studimi të bërë në mbarë Evropën në vitit 2020.
/Burimi: DW/