Prej disa kohësh “Karroca e Artë” e familjes mbretërore holandeze është kthyer në një mollë sherri. Tradicionalisht, xhevahiri mbretëror përdorej në evenimente të rëndësishme, dasma dhe parada.
Por për shumë të tjerë, cilësohet një simbol i racizmit dhe shtypjes për shkak të ilustrimit në panelin e tij anësor: Një grua e bardhë në një fron, me njerëz me ngjyrë gjysmë të zhveshur të gjunjëzuar në këmbët e saj, duke i ofruar dhuratat.
Mbreti aktual Willem-Alexander, në kërkim të një zgjidhjeje diplomatike – nuk dëshiron ta përdorë karrocën në të ardhmen.
“Historia jonë përmban shumë gjëra për të cilat duhet të jemi krenarë. Në të njëjtën kohë, ajo ofron materiale mësimore për të pranuar gabimet dhe për t’i shmangur ato në të ardhmen. Ne nuk mund ta rishkruajmë të kaluarën. Mund të përpiqemi të pajtohemi me të. Karroca e Artë do të jetë në gjendje të funksionojë vetëm kur Holanda të jetë gati për të”, thotë mbreti Willem-Alexander.
Karroca e diskutueshme ishte fillimisht një dhuratë nga banorët e Amsterdamit për Mbretëreshën Wilhelmina në 1898.
Tradicionalisht, çifti mbretëror e çon atë në hapjen e vitit parlamentar në shtator. Kështu ka qenë edhe herën e fundit në vitin 2015, pas së cilës karroca e artë është restauruar me një kosto prej rreth 1.2 milionë euro.
Që nga vera e kaluar, ajo është ekspozuar në Muzeun e Historisë Urbane të Amsterdamit.
Ekspozita nxjerr në pah të gjitha aspektet e karrocës – përveç historisë dhe prodhimit të saj, del në pah edhe diskutimi rreth simbolizmit të saj kolonial. Ekspozita përfundon në shkurt. Nuk dihet ende se çfarë do të bëhet më pas me karrocën.
/Priza.al/