Debati për bujqësinë ‘valon’ në Kuvend/ Deputeti i Lushnjës, Korreshi replikon sërish me ministren e Bujqësisë: E ka mendjen te akademia…

Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, edhe këtë seancë parlamentare nuk e ka kursyer ironinë me zyrtarë të qeverisë.

Teksa foli mbi braktisjen e serave nga fermerët, si pasojë e mungesës së ndihmës shtetërore për problematikat e tyre ai u shpreh se paketa e re fiskale do të bëjë që shumë fermerë të mos mbjellin vitin e ardhshëm duke bërë që tregu të mbushet me produktet e vendeve fqinj, ashtu siç sipas tij po ndodh me produktet e bulmetit.

“Sot u premtua që do hamë me lugë floriri gjithandej, po nuk mendoj se është kështu, u tha që ne kemi mbjellë dhe kemi shtuar sipërfaqet. Opingat! Të gjithë fermerët ishin atje jashtë sot dhe unë për fat të mirë i njoh të gjithë ata fermerë.

Ka nga ata të cilët realisht janë personat që mbjellin, që mbajnë peshën e asaj që na serviret ne në tavolinë. Ju e keni zakon, gjithmonë këtu s’ka pasur se ne bar do hamë, po kam frikë se s’do na mbijë as bari se fermerët nuk do merren as me këtë se po i lënë serat. Sot serat janë bosh, fermerët janë në protestë.

Ju jo vetëm socialista dhe specialista, sot treguat dhe mjeshtëri të lartë sportive. I morët, i amortizuat, i dhatë kafe i thatë se do hani me lugë floriri, po dale sa të kalojmë buxhetin se ashtu është një muhabet. Jo nuk mundet të kalojë ky buxhet, nuk mundet kjo lloj sjelljeje me fermerët lushnjarë.

Ta dini se vitin tjetër do hani produkte të “Ballkanit të Hapur” ose të “shqyer”, ç’a është ai. Siç po hani djathin dhe gjalpin nga produktet serbe, se blegtoria e ka mendjen te akademia, sa t’i stërvisim pak, se nuk dinë se si rritet lopa as dhia, po t’i stërvisim pak, ndërkohë që e marrim qumështin nga Serbia, edhe pak qumësht pluhur.

Ne vazhdojmë t’i gënjejmë fermerët pasi ata nuk marrin asgjë as nga skemat e rimbursimit të AZHBR-së, me teknikat se kjo sera është 2.80 dhe duhet të ishte 3.20”,- tha Koreshi.

Duke iu përgjigjur deputetit të PD-së, ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, u shpreh se qeveria ka parashikuar një fond prej 7.1 miliardë lekësh për Bujqësinë, që është dhe fondi më i madhi vendosur në dispozicion të fermerëve në Shqipëri.

“Është një buxhet prej 12.7 miliardë lekë nga të cilat, 7.1 miliardë lekë adresojnë problematikat që dëgjuam gjerë e gjatë sot në parlament. 7.1 miliardë lekë janë një fond që shkon në mbështetje të drejtpërdrejtë dhe në investime të planit të zhvillimit urban.

3.2 miliardë lekë janë në mbështetje të drejtpërdrejtë të fermerëve dhe ky është buxheti më i madhi vendosur ndonjëherë në shërbim të fermerëve. 26 miliardë lekë shkojnë në agro-përpunim dhe në përmirësimin e fermave dhe 700 milionë për peshkimin.

Kryeministri i ka ftuar në takim javën që vjen dhe nëse ky parashikim buxhetor që ne kemi kryer nuk është në pëlqim të tyre, do të alokojmë fondet ashtu siç kërkon kjo përfaqësi reale, e papolitizuar fermerësh, në mënyrë që të adresojmë problematikat”,- tha Krifca.

/Priza.al/

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *