Nga Elva Margariti
Plani i ri i Menaxhimit të Butrintit vjen si kërkesë ligjore, në përmbushje të të gjitha rekomandimeve të UNESCO-s dhe duke huazuar modele të suksesshme menaxhimi të siteve të rëndësishme në botë, nga Italia, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ky plan parashikon administrimin përmes një Fondacioni të posaçëm, i themeluar nga Ministria e Kulturës dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (“AADF”). Ministria e Kulturës jo vetëm është e mirëpërfaqësuar në bordin drejtues të Fondacionit, por ka tagrin të kontrollojë veprimtarinë e tij. Fondacioni është shqiptar, ai funksionon sipas Ligjit të OJF-ve, pra është jofitimprurës.
AADF ka kontribuar deri tani me një donacion prej gati 1,2 milionë USD dhe do të kontribuojë me 4,990,000 USD të tjera, nëpërmjet një granti (donacioni). Fondacioni do të këtë mundësi të ngrejë fonde dhe të tërheqë donatorë të tjerë, duke qenë i hapur për të përfshirë në Bordin e tij Drejtues donatorët.
Të gjitha të ardhurat e realizuara do të mbeten në Fondacionin e Butrintit, madje një përqindje e këtyre të ardhurave do të kontribuohen në arkën e Fondit të Trashëgimisë Kulturore në ndihmë të zhvilimit të qendrave të tjera të trashëgimisë kulturore në Shqipëri.
AADF nuk ka asnjë përfitim financiar nga ky projekt, dhe pjesëmarrja e tij në fondacion është tërësisht e natyrës filantropike dhe bazohet në marrëveshjen e bashkëpunimit ekonomik të dates 10 Qershor 1992, lidhur mes shtetit shqiptar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ky model administrimi nga nje fondacion jo-fitimprurës nuk ka asgjë të përbashkët me koncesionin.
Butrinti ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë pronë e shtetit shqiptar dhe do të vazhdojë të administrohet nga shteti në bashkëpunim me një fondacion të besueshëm amerikan siç është AADF, që në Shqipëri ka realizuar projekte të suksesshme.
Marrëveshja e Administrimit dhe Menaxhimit lidhet për një periudhë 10 vjeçare, ajo nuk është automatikisht e rinovueshme dhe në përfundim të saj, Fondacioni do i transferojë Ministrisë së Kulturës administrimin e Parkut te Butrintit dhe të gjitha llogaritë dhe të ardhurat e realizuara.
Plani i ri i menaxhimit rrit mundësinë e investimeve në kërkim shkencor, restaurim, kërkim, më shumë shërbime për vizitorët dhe vetë stafin, si dhe përmirësim dhe modernizim të infrastrukturës së parkut dhe në ndihmë të komunitetit lokal.
Hartimi i këtij plani është realizuar në bashkëpunim të ngushtë me komunitetin, specialistët e fushës dhe institucionet përgjegjëse.
Përmes nënshkrimit të një protokolli bashkëpunimi me Institutin e Arkeologjisë, do të çohen përpara kërkimet shkencore përmes ngritjes së qendrës kërkimore, Butrinti Research Group, gërmimet arkeologjike, restaurimet e konservimet.
Fondacioni do të ofrojë mbështetje financiare projekteve arkelogjike, duke i dhënë prioritet arkeologëve shqiptarë.
Mbrojtja e mjedisit, florës dhe faunës është një nga pikat kyçe në këtë menaxhim të ri, duke vënë në jetë filozofinë “carbon free”, duke shmangur trafikun e automjeteve dhe duke vënë në qarkullim për trasnportin e vizitorëve nga qendra e pritjes deri në park, mjete që nuk ndotin ajrin.
Çdo marrëveshje në emër të Butrintit është bërë në funksion të ruajtjes dhe promovimit të këtij Parku Kombëtar nën mbrojtjen e UNESCO-s, për ta kthyer në një lider të trashëgimisë kulturore e turistike në rajon.
Ministria e Kulturës ka treguar në këto vite, se është tërësisht e angazhuar në mbrojtje të trashëgimisë kulturore, duke pasur në thelb të punës së saj transparencën dhe të mirën kombëtare.