Rruga “Ibrahim Rugova” nuk është shkurtuar por përkundrazi është zgjatur me 300 metra dhe shkon deri te Diga e Liqenit. Këtë deklaroi ditën e sotme Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Ai theksoi se segmenti nga ‘Shallvaret’ te ‘Banka e Shqipërisë’, i cili prej disa vitesh quhej rruga “4 Shkurti” është saktësuar në emërtimin “Dëshmorët e 4 Shkurtit”.
Veliaj shtoi se ka komunikuar me familjen e ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, me të cilët po planifikon vendosjen e një shtatoreje në Tiranë.
“Dje kam pasur një bisedë të gjatë dhe jashtëzakonisht miqësore me Ukë Rugovën, djalin e Presidentit të nderuar, Ibrahim Rugova. I kam shpjeguar situaten dhe ai ishte jashtëzakonisht mirëkuptues. Unë jam mik me atë familje. Në zyrën time, familja Rugova mori nënshtetësinë shqiptare. Ishte një nder i madh për mua! Znj. Rugova vinte për herë të parë në Shqipëri, kështu që, unë kam detyrimin t’ia shpjegoja familjes Rugova dhe ata, jo vetëm janë të qarte, por edhe dashamirës, madje së bashku po planifikojmë vendosjen e një shtatoreje të Ibrahim Rugovës në një nga sheshet e rrugës që tani është zgjatur” – deklaroi ai.
Kryebashkiaku tha se tymnaja e krijuar në Tiranë dhe në Kosovë është organizuar nga politikanë dhe analistë që synojnë përçarjen.
“Unë besoj se problemi real që kemi në Shqipëri dhe në Kosovë ka të bëjë me disa njerëz që kanë ende simpati për fashizmin. Në qoftë se Ibrahim Rugova do të ishte gjallë, si antifashisti më i madh ndaj fashizmit të Millosheviçit, do ta kishte nder që të ishte në një segment, që ndahet nga një lumë, me emërtimin e një lëvizje antifashiste, siç ishte Lëvizja Antifashiste në Shqipëri. Ndaj, këtu problemi nuk është rruga! Kush do ta dijë të vërtetën, e zbulon të vërtetën. Kush jeton në Tiranë, i di si janë të vërtetat” – tha Veliaj.
Ai theksoi se detyra e të gjithëve ne është të mos përçahemi nga politikanët dhe analistët që synojnë ‘shqyerjen’ e kombit tonë.