Qendra historike më e famshme në Shqipëri ndër breza dhe vend i cili vizitohet që nga klasat e para për të sjell në vëmendje dhe nxitur patriotizmin “Sheshi i flamurit në Vlorë” do të tjetërsohet. Kryeministri Edi Rama ka paraqitur ditët e fundit planin e ri për të rregulluar qendrën e qytetit.
Kreu i qeverisë mezi ka pritur që ditën e sotme të postoi sërish projektin në rrjetet sociale me mesazhin: Sheshi i Ri të Flamurit, i cili do t’i shtojë Vlorës një tjetër pjesë të bukur të mozaikut gjithnjë e më tërheqës të Rilindjes së saj Urbane, ku do të mësyjë gjelbërimi, ku do të dalin në pah me të gjithë shkëlqimin e tyre objektet e historisë në atë shesh, ku një qilim i kuq prej guri do të lidhë monumentin e Pavarësisë me “tempullin” hijezues që do të shërbejë për panaire, ekspozita, shfaqje artistike e të tjera (po vetëm si terminal autobuzësh për foltorexhinjtë jo) dhe ku fantazma e ish-hotelit do të kthehet në qendrën më të madhe social – kulturore të vendit për të gjitha moshat, pa harruar aksin e rikonceptuar që lidh edhe varrezat e dëshmorëve me monumentin e Pavarësisë përmes kolonatave të “tempullit” hijezues.
Ndërkohë, dje (datë 08.04.2022 ) u realizua protesta e dytë në Vlorë në sheshin e Flamurit. Këto protesta kanë si qëllim kundërshtimin e projektit që do të zhvillohet në sheshin e Flamurit, pasi sipas banorëve po tjetërsohet historia. Disa qytetarë dhe aktivistë u mblodhën pranë monumentit të pavarësisë.
“Aty është një gërmadhë e vërtetë, shikoni si është aty, kjo është zhdukja e historisë së një kombi. Kam ardhur në këtë tubim paqësor për të protestuar sepse këtu jemi mbledhur çdo 28-nëntor dhe ky projekt po na shqetëson sepse është një ndërhyrje shumë e gabuar. Nuk na kanë pyetur fare.”– tha njëri nga banorët.
Ndërkohë në protestë nuk ndodhen vetëm qytetarë nga Vlora por edhe nga qytetet e tjera të Shqipërisë. Një qytetar nga Tirana ishte i pranishëm gjithashtu në protestë, i cili u shpreh se siç ndodhi si sot para shumë vitesh pushtimi italian, tashmë po pushtohet sërish sheshi i Flamurit në Vlorë.
“Banoj në Tiranë, kemi ardhur për të mbështetur patriotët e Vlorës se i është zaptur sheshi i flamurit. Sot është një ditë e zezë për Shqipërinë se me 7 Prill ka ndodhur pushtimi fashist ndërsa tani po e pushtojnë këta. I bëj thirrje drejtësisë për të pastruar mbeturinat.”
Në sheshin e Flamurit në Vlorë kanë nisur punimet për të vënë në jetë projektin që pritet ta rikualifikojë zonën ndërsa një godinë 15 katëshe qe shteti ia ka marrë privatit, pritet të kthehet në qendër social-kulturore. Ndërtesa i është marrë biznesmenit Sulo Shehi, të cilin shteti e ka dëmshpërblyes me 8 milionë dollarë.
Zhvillues i projektit është Fondi Shqiptar i Zhvillimit ndërsa financuese e projektit nga Xavier de Geyter, i njëjti arkitekt belg që ideoi Lungomaren. Shqetësimi i arkitektit që mori pjesë në projektimin e sheshit të Flamurit
Një nga autorët e Monumentit të Pavarësisë, Mumtaz Dhrami, është shprehur kundër rikonceptimit të veprës që ndodhet në qytetin e Vlorës.
Sipas skulptorit, projekti i ri nuk përcjell asnjë emocion për spektatorin.
“Monumenti gjithnjë mendohet me pjesën arkitektonike, duke i hequr këtë pjesë dhe duke ndryshuar raportin mes spektatorit dhe monumentit, duke i hequr bazamentin ku njerëzit hipnin përmes shkallëve”, është shprehur Dhrami.
Monumenti i Pavarësisë i ndërtuar në vitin 1972 dhe i mbuluar me bronz, është i lartë 17 metra. Në qendër të grupit skulpturor është figura e Ismail Qemalit, kryetarit të parë të shtetit shqiptar.
Sipas Dhramit, si i vetmi autor që jeton ende, atij nuk i është marrë asnjë mendim për ndryshimin e bërë.
“Kristaqi, Shabani dhe Koçua kanë vdekur, vetëm unë jam gjallë por nuk më ka pyetur njeri për ndryshimin e monumentit të pavarësisë. Jam kundër kësaj vendosje që kanë menduar, humb çdo lloj marrëdhënie e monumentit me spektatorin”, tha skulptori.
“Monumenti tani, duket sikur është bërë një skulpturë dekorative e ndonjë shtojzavalle, dhe nuk ka asnjë linjë që lidhet me monumentin e nuk krijohet ai emocioni i veçantë. Muri prej betoni nuk ka të bëjë fare me frymën e monumentit. Nëse kolegët do e shihnin do skandalizoheshin”, tha Dhrami.
Në rrëfimin e tij artisti Dhrami, kujtoi dhe momentin kur u hodhën idetë e para për krijimin e monumentit të pavarësisë, ku veçoi bashkëpunimin me kolegët Kristaq Rama, Shaban Haderi, e Koço Çomi.
Çfarë tha Rama për projektin e ri
Një ditë më parë, në Opinion, kryeministri Rama shpjegoi projektin e ri për qytetarët që janë të shqetesuae mbi tjetërsimin e historisë.
“Deri dje kur unë fillova punën për Vlorën shqetësoheshin se mos u binte fëmija në gropë. Këtë projekt e ka bërë një nga arkitektët më të mirë të gjallë. Xavier de Geiter, i cili është një ndër arkitektët i cili është edhe arkitekti i Lungomares, i cili është edhe arkitekti i Shtëpisë së Pavarësisë dhe që këtu duhet respekt. Ky është një nga arkitektët më të mëdhenj të botës. Po qe puna për nostalgji unë personalisht jam rritur nën hijen e monumentit të pavarësisë se është një vepër ku ka dorë edhe im atë dhe atë platformën e tmerrshme sovjetike që është për tribuna, ajo është pjesë e një vepre ku ka dorë edhe im atë dhe im atë me atë mënyrë se si e shikonte botën, ishte dakort me atë gjënë atje. koha sot nuk e pranon atë tribunën e tmerrshme që ishte kur të vinte udhëheqja të mbante fjalime aty. Sheshi në Vlorë që ka një vlerë që nuk e lëviz më asgjë, është një nga ato gjërat që do të mbetet aty, nuk e lëviz dot ky i gjalli që ka vdekur. Thonë që do të bëhet stacion autobuzash. Ky është një tempull hijezues për sheshin i cili është midis Monumentit të Pavarësisë dhe Varrezave të Dëshmorëve dhe të dyja këto lidhen me Sheshin e flamurit me këtë qilim të kuq që është evokimi i flamurit, evokimi i gjakut të derdhur për liri e pavarësi dhe ajo kolonada që është tempull hijezues është hapësirë për aktivitete, koncerte, panaire e mbuluar e hijezuar, nuk është terminal autobuzësh. Ai është kalimi i autobuzëve. Kalon autobuzi, që do të bëhet në vend tjetër”
Historia e “Sheshit të Flamurit”
Më 28 Nëntor 1912, u shpall Pavarësia e Shqipërisë në Vlorë, dhe u ngrit flamuri kuq e zi me shqiponjën dykrenare. Sheshi i Flamurit, është vendi ku përvit përkujtohet kjo ngjarje e shënuar, falë Monumentit të Pavarësisë në qendër të sheshit, si dhe prezencës së plot objekteve që janë dëshmi e historisë.
Në Sheshin e Flamurit ndodhet dhe Shtiza e Flamurit, një piedestal i dekoruar me datën e pavarësisë dhe shqiponjën kombëtare. Nëse gjendeni në shesh, nuk mund të mos bëni dhe një ndalesë në varrin e Ismail Qemalit, që ndodhet pas Shtizës së Flamurit brenda lulishtes aty pranë. Një kurorë me lule apo një kujtim simbolik në nder të babait të kombit shqiptar do të ishte mënyra e duhur për të nderuar figurën e Qemalit.