Çifti më i fundit i eleminuar nga “Dancing With The Stars”, Debora Keçi dhe Niko, ishin të ftuar së fundmi në emisionin “Ftesë në 5”, ku folën rreth eksperiencës së tyre në spektaklin e kërcimit.
Sportistja Deborah Keçi u shpreh se nuk është aspak e mërzitur për eleminimin, madje ndihet mirë që ka rikthyer vëmendjen në jetën e saj të përditshme. Ajo tha se fusha e saj profesionale ishte diçka komplet ndryshe nga kërcimi, prandaj nuk kishte pritshmëri të mëdha për një gjë të cilën nuk e kishte pasion.
“Që kur mora ofertën në fillim isha skeptike sepse e dija që nuk i përkas kësaj gjëje, një gjë që nuk e ke pasion nuk e bën mirë dhe unë dua të bëj më të mirën time në çdo aspekt, prandaj edhe pranova ta provoj por jo me synimin të shkoj në finale apo të fitoj, nuk e pretendoja.
“Që në performacën e parë kam kërcyer me dorën larg Nikos ndërkohë që ka akoma çifte që kërcejnë afër me njëri-tjetrin dhe kjo ka të bëjë shumë sepse kur je afër me partnerin mundësia për të bërë gabime është më e vogël.”- tha Debora Keçi.
Siç duket një hatërmbetje të vogël Deborah e kishte me jurinë, për të cilën tha se duhej ta merrte parasysh faktin se ajo ishte sportiste dhe nuk kishte lidhje me televizionin siç mund të kishin shumica prej VIP-ave aty.
“Mendoj se kërcimi duhet gjykuar edhe mbi bazën e vështirësisë por edhe duke marrë parasysh pjesën që unë nuk kisha lidhje me televizionin dhe kjo ma vështirësonte situatën. Unë nuk kisha prekur skenën dhe nuk kisha qenë kurrë para kamerave në atë formë dhe e kisha shumë të vështirë, aq më tepër fusha nga vij unë është një gjë totalisht ndryshe nga kërcimi, ma kërkon të jem e ngurtë, ndërsa në kërcim duhet të jem e lirshme dhe kjo më pengoi”.– u shpreh Debora Keçi.