Stërvitja ushtarake “Defender Europe 2023” nisi ditën e sotme në Tiranë. Vendi ynë mirëpret eventin ushtarak, të drejtuar nga SHBA, që ka për qëllim ndërtimin e gatishmërisë dhe ndërveprueshmërinë midis ushtrive të vendeve partnere dhe NATO-s. Stërvitja do të zhvillohet nga data 22 maj deri më 23 qershor.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Arben Kingji, në fjalën e tij në ceremoninë e hapjes së stërvitjes tha se kjo stërvitje tregon vëmendjen e NATO për të qenë bashkë në sfidat.
“Faleminderit për praninë tuaj në këtë ditë të veçantë për hapjen e stërvitjesh, në veçanti falënderim për aleatin tonë strategjik SHBA-të. Defender Europe 23 është një stërvitje që drejtohet nga SHBA, e cila qëndron qartazi angazhimin e SHBA dhe NATO-s si mbrojtës të demokracive. Të qëndrojmë së bashku kundër kërcënimeve të mundshme, dëshmi e fuqisë së bashkëpunimit dhe unitetit. Kjo stërvitje na mundëson forcimin e kapaciteteve tona. Mesazh për kundërshtarët tanë të mundshëm që ne jemi të përgatitur dhe të bashkuar për të përballuar sfidat e përbashkëta”, tha Kingji.